Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Qëllimi i ligjit

Neni: 
2

Ky ligj ka si qëllim:

  • të krijojë një sistem për organizimin dhe ofrimin e ndihmës juridike falas për të siguruar akses të
  • barabartë të të gjithë individëve në sistemin e drejtësisë;
  • të sigurojë mirorganizimin, miradministrimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore
  • përgjegjëse për administrimin e ndihmës juridike;
  • të sigurojë ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike në mënyrë profesionale, cilësore, efiçente dhe efektive.

Ndihma juridike është një nga objektivat strategjike të reformës në drejtësi 2017-2020 të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.773 datё 2.11.2016 “Për miratimin e strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë 2017-2020 dhe të planit të saj të veprimit", konkretisht, i objektivit specifik të strategjisë nr.3 në lidhje me reformën në drejtësi “Përmirësimi i funksionimit të sistemit gjyqesor duke forcuar efikasitetin, trasparencën dhe qasjen në pajtim me standardet evropiane”. Në lidhje me këtë objektiv, është synuar që në afatgjatë të arrihet krijimi i një sistemi të drejtë dhe funksional të ndihmës juridike për individët dhe grupet në nevojë dhe krijimi i një sistemi të arsyeshëm dhe proporcional të tarifave gjyqësore për të siguruar financimin e shërbimeve të drejtësisë, si dhe garantimin e aksesin në gjykatë. Sipas Planit të Veprimit përkatës është parashikuar miratimi i akteve nënligjore në zbatim të Ligjit nr.111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” dhe fillimi i zbatimit të këtij legjislacioni.

Ligji nr. 111/2017 synon veçanërisht të garantojë një akses të shpejtë, të drejtë dhe të rregullt në drejtësi për të përmbushur kriterin e Kopenhagen për të garantuar shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut në Republikën e Shqipërisë. Ligji është pjesë e një pakete ligjore që synon përmirësimin e aksesit në drejtësi, dhe nё gjykata nё veçanti. Qëllimi kryesor i Ligjit është që kategoritë në nevojë dhe që janë më të diskriminuara të përfitojnë nga shërbimet falas të ndihmës juridike të ofruara nga shteti. Gjithashtu, një qëllim tjetër shumë i rëndësishëm i këtij ligji është që nëpërmjet mënyrës së organizimit dhe ofrimit të shërbimit, është që ky shërbim të jetë sa më profesional dhe i specializuar në bazë të fushës në të cilët ofrohet dhe shumë e rëndësishme është që edhe të eleminohen lidhjet dhe rastet e mostransparencës midis avokatëve dhe gjyqtarëve/prokurorëve gjatë caktimit të avokatëve të ndihmës juridike nga këta të fundit. Këtë problem ky ligj e zgjidh nëpërmjet zgjedhjes së drejtëpërdrejtë të avokatit në listë nga vetё përfituesi i ndihmës juridike falas.[1]

Më tej, bazuar në sa më sipër, Ligji nr. 111/2017 ka si qëllim zbatimin efektiv dhe të barabartë të legjislacionit për ndihmën juridike në Shqipëri, duke respektuar parimet e dhënies së ndihmës juridike falas të parashikuar në këtë ligj dhe në aktet të tjera ligjore e nënligjore, përfshirë por pa u kufizuar edhe në KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ. Për të realizuar këtë qëllim madhor, ligji përmban dispozita në lidhje me organizimin dhe administrimin e ndihmës juridike, duke parashikuar institucionet përgjegjëse dhe operatorët përkatës, detyrat, funksionet dhe përgjegjësitë e tyre, etj. Po kështu, Ligji nr. 111/2017 ka si qëllim të mundësojё ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike në mënyrë profesionale, cilësore, efiçente dhe efektive, e cila krahas mbrojtjes efektive të të drejtave themelore kushtetuese dhe ligjore, siguron edhe eficiencë të të gjitha burimeve në dispozicion për të maksimizuar aksesin në ndihmë juridike të sa më shumë individëve të cilët plotësojnë kriteret e përzgjedhshmërisë  përkatëse. Në kuadër të organizimit dhe mirëadministrimit të ndihmës juridike, duhet kuptuar që Ligji nr. 111/2017 ka për qëllim edhe mbrojtjen dhe garantimin e ushtrimit të profesionit të avokatit të ndihmës juridike falas në Republikën e Shqipërisë.

Ligji nr. 111/2017 është përcaktuar me qëllimin e mësipërm edhe bazuar në dispozitat përkatëse të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, i cili në nenin 2 parashikon: “Çdo shtet palё i kёtij Pakti zotohet: (a) Tё sigurojë qё çdo person, kur t’i shkelen tё drejtat dhe liritё e njohura në këtë Pakt, tё ketё tё drejtёn e njё mjeti juridik efektiv, edhe atёherё kur shkeljen e kryejnë personat me rastin e ushtrimit tё funksioneve tё tyre zyrtare; (b) Tё sigurojë që autoriteti kompetent gjyqёsor, administrativ ose legjislativ, ose çdo autoritet tjetër qё ёshtё kompetent nё bazё tё legjislacionit tё shtetit, do t’i pёrcaktojё tё drejtat e kёtij personi qё paraqet mjetin juridik si dhe tё zhvillojё mundёsitё e paraqitjes së mjetit juridik; (c) Tё sigurojë që autoritetet kompetente do të veprojnë sipas çdo mjeti juridik qё do tё njihet si i pёrligjur”.

Ligji nr. 111/2017 ka qëllimin sipas nenit 2 edhe bazuar në orientimet që jep legjislacioni përkatës i BE. Neni 3 i Direktivës 2002/8/EC datë 27.01.2003, parashikon pothuaj të njëjtën qasje si neni 2 i Ligjit 111/2017: “E drejta për ndihmë juridike 1. Personat fizikë të përfshirë në një mosmarrëveshje të mbuluar nga kjo Direktivë ka të drejtë të marrë ndihmë juridike të përshtatshme në mënyrë që të sigurohet qasja e tyre efektive në drejtësi në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë Direktivë”. Me tej, Direktiva 2016/1919 datë 26.10.2016, nё nenin 7 ‘Cilësia e shërbimeve dhe trajnimeve të ndihmës juridike’, parashikon: “1. Shtetet Anëtare marrin masat e nevojshme, përfshirë përsa i përket financimit, për të siguruar që: (a) ekziston një sistem efektiv i ndihmës juridike që është i një cilësie të përshtatshme; dhe (b) shërbimet e ndihmës juridike janë të një cilësie të përshtatshme për të mbrojtur ndershmërinë e procedurave, me respektimin e duhur të pavarësisë të profesionit juridik”.

Objekti i Ligjit nr. 111/2017 i përcaktuar në nenin 2 të tij, duhet lexuar edhe me aktet nënligjore të dala në bazë dhe në përputhje me përmbajtjen e këtij neni. Kështu, deri në datën e daljes së këtij Komentari, në zbatim të pikës ‘b’ dhe ‘c’ të nenit 2 të Ligjit 111/2017, kanë dalë dhe akte të tjera nënligjore të cilat mundësojnë mirëadministrimin, mirëfunksionimin, etj., të institucioneve përgjegjëse, por edhe ofrimin e ndihmës juridike me efektivitet, efiçiencë, cilësi e profesionalizëm: (i) Vendim nr.55 datë 6.2.2019 “Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionin për autorizimin e organizatave jofitimprurëse, që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti”; (ii) Vendimi nr.110, datë 06.03.2019 “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave të përzgjedhjes së organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti, që përfitojnë financime nga buxheti i shtetit dhe mënyra e financimit të tyre”; (iii) Urdhri i Kryeministrit nr.59 datë 25.03.2019 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas”; dhe aktet e tjera përkatëse.

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.