Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Përkufizime

Neni: 
3

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Ndihmë juridike” është shërbimi juridik falas dhe shërbimet e tjera të parashikuara në këtë ligj, për personat që përmbushin kriteret e këtij ligji, të cilat garantohen dhe financohen nga shteti.

b) “Ndihmë juridike parësore” është: 

  • dhënia e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor;
  • dhënia e këshillimit; 
  • dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative tëmosmarrëveshjeve;
  • dhënia e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore; 
  • përfaqësimi përpara organeve administrative; dhe 
  • dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmëjuridike dytësore.

c) “Ndihmë juridike dytësore” është shërbimi juridik që ofrohet për përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën; ofrimi i këshillimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes para gjykatës në çështjet administrative, civile dhe në çështjet penale, për të cilat nuk zbatohet mbrojtja e detyrueshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural penal.

ç) “Këshillim” është dhënia e informacionit mbi mënyrat dhe mundësitë e zgjidhjes së një çështjejekonkrete juridike.  

d) “Qendër shërbimi e ndihmës juridike parësore” është një njësi e specializuar për dhënien e ndihmës juridike parësore, e organizuar si “njësi e drejtpërdrejtë e ofrimit të shërbimeve”, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.  

dh) “Punonjës me trajnim të posaçëm” është punonjësi, i diplomuar nga një program i ciklit të dytë të studimeve në drejtësi, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe që i është nënshtruar një trajnimi të posaçëm, i cili ofron ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore.

e) “Trajnim i posaçëm” është programi i trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm, i miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas,  për punonjësit  që ofrojnë ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore.  

ë) “Klinikë ligjore” është njësi përbërëse e një institucioni të arsimit të lartë, e organizuar dhe që funksionon sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe që ofron ndihmë juridike parësore pa qëllim fitimi, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.  

f) “Të ardhura”, në kuptim të këtij ligji, janë të ardhurat mujoreqë sigurohen nga pagat, veprimtaria ekonomike, interesat e depozitave bankare, të ardhurat nga pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Në këto të ardhura nuk përfshihet ndihma ekonomike, pensioni social, pagesat e papunësisë, përfitimet e invalidëve, sipas statusit të invalidit të punës ose të luftës, pagesat që marrin pjesëtarët e familjes që kujdesen për personin me aftësi të kufizuara, rimbursimi i shpenzimeve për energji, rimbursimet për ilaçe e mjekime për të sëmurët kronikë dhe paketa higjieno-shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara.

g) “Familje”, në kuptim të këtij ligji, është një grup individësh, që lidhen në marrëdhënie bashkëshortore ose bashkëjetese, si dhe marrëdhëniet prindër-fëmijë, marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të familjes dhe ato të kujdestarisë, që jetojnë në të njëjtën strehë dhe që kontribuojnë bashkërisht, financiarisht ose në mënyra të tjera për përballimin e kostos së jetesës. 

gj) “Pasuri”, në kuptim të këtij ligji, është pasuria e çdo lloji, e luajtshme ose e paluajtshme, si dhe të drejtat reale pasurore. Pasuria e paluajtshme e përdorur nga pronari ose bashkëpronari si banesë e tij parësore për jetesën familjare dhe sendet e përjashtuara nga sekuestrimi, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile, nuk konsiderohen pasuri, sipas kuptimit të këtij ligji. 

h) “Përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore” është një formë e ndihmës juridike falas për përjashtimin nga pagesa e tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, me vendim të gjykatës kompetente, nëse plotësohen kriteret e vendosura nga ky ligj. 

i) “Tarifa gjyqësore” është tarifa, sipas kuptimit të dhënë nga legjislacioni në fuqi për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë. 

j) “Shpenzimet gjyqësore” janë shpenzimet e kryera në kuadër të procesit gjyqësor, të nevojshme për gjykimin, sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin procedural, përveç tarifës gjyqësore.

k) “Tarifa për vënien në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit” është tarifa që i parapaguhet shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror, për vënien në ekzekutim të një titulli ekzekutiv, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Neni 3 ‘Përkufizime’ i Ligjit nr. 111/2017 parashikon përkufizimet bazë për qëllime të leximit, kuptimit dhe zbatimit të këtij ligji. Në këtë seksion do të bëjmё disa shpjegime të disa prej përkufizimeve, ndërkohë që shpjegimi i përkufizimeve të tjera do të bëhet në seksione të tjera të këtij Komentari, së bashku me komentet për nenet e tjera përkatëse.   

Përkufizimi bazë i këtij ligji është përkufizimi i termit 'ndihmë juridike’. Sipas gërmёs ‘a’ të këtij neni “Ndihmë juridike është shërbimi juridik falas dhe shërbimet e tjera të parashikuara në këtë ligj, për personat që përmbushin kriteret e këtij ligji, të cilat garantohen dhe financohen nga shteti”. Bazuar në këtë përkufizim dhe në përkufizimet e tjera përkatëse, ndihma juridike duhet kuptuar si tërësia e shërbimeve që jepen në kuadrin e ndihmës juridike parësore dhe ndihmës juridike dytësore të përkufizuara shprehimisht në nenin 3 të Ligjit nr. 111/2017. Por, për të qartësuar shumëllojshmërinë e shërbimeve të ndihmës juridike parësore dhe dytësore, referohemi edhe në nenin 4 'Shërbimi i avokatisë’ i Ligjit nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”: “Avokati ushtron veprimtarinë e tij nëpërmjet: a) këshillimit ligjor të personave fizikë dhe juridikë; b) përfaqësimit në procesin penal, civil, administrativ, ose të ndonjë natyre tjetër që mund të mos përfshihet në këto tri kategori, në çdo shkallë të gjyqësorit, brenda ose jashtë vendit, pranë gjykatave ndërkombëtare ose çdo organizmi tjetër, pranë të cilit Republika e Shqipërisë ka aderuar, si dhe përfaqësimit në procedurat e ndërmjetësimit ose të arbitrazhit; c) hartimit të akteve juridike dhe çdo akti tjetër, sipas kërkesave të personave fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë; ç) veprimeve të tjera të parashikuara në legjislacionin shqiptar ose në legjislacionin e huaj, kur veprimtaria kryhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.”

Pa kundërshtuar komentet përkatëse në pjesë të tjera të këtij Komentari, në lidhje me përkufizimet e mëposhtme: “c) “Qendër shërbimi e ndihmës juridike parësore” është një njësi e specializuar për dhënien e ndihmës juridike parësore, e organizuar si “njësi e drejtpërdrejtë e ofrimit të shërbimeve”, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. dh) “Punonjës me trajnim të posaçëm” është punonjësi, i diplomuar nga një program i ciklit të dytë të studimeve në drejtësi, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe që i është nënshtruar një trajnimi të posaçëm, i cili ofron ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore. e) “Trajnim i posaçëm” është programi i trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm, i miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas,  për punonjësit  që ofrojnë ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore”, këto tre përkufizime duhen lexuar në lidhje me njëra-tjetrën pasi plotësojmë elemente të këtyre përkufizimeve përkatëse, si dhe në lidhje me detyrat e përgjegjësitë e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas të parashikuara në nenin 8 të këtij ligji. Kështu, punonjësit me trajnim të veçantë nga programi i trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm të zhvilluar dhe miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas dhe me ofrues trajnimi Qendrën e Trajnimit të Administratës Publike përgatiten dhe ofrojnë vetëm shërbime të ndihmës juridike parësore në qendrat shtetërore të shërbimit të ndihmës juridike falas.   

Gjatë leximit të Ligjit nr. 111/2017, duhet bërë kujdes për të dalluar që përkufizimi ‘të ardhurat’ është një përkufizim vetëm për qëllime të këtij ligji dhe i ndryshëm nga përkufizimi ‘të ardhurat personale’ i parashikuar nga Ligji nr. 8438 datë28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.  

“Familje”, në kuptim të Ligjit 111/2017 është një grup individësh, që lidhen në marrëdhënie bashkëshortore ose bashkëjetese, si dhe marrëdhëniet prindër-fëmijë, marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të familjes dhe ato të kujdestarisë, që jetojnë në të njëjtën strehë dhe që kontribuojnë bashkërisht, financiarisht ose në mënyra të tjera për përballimin e kostos së jetesës. Për qëllime të zgjidhjes së skenarëve të shumëllojshëm praktikё në lidhje me identifikimin e njësisë ‘familje’, gjatë zbatimit të Ligjit nr. 111/2017, referencë mund të bëhet edhe në dispozita të caktuara të Kodit të Familjes, dispozita të tjera të legjislacionit shqiptar apo edhe të akteve ndërkombëtare përkatëse të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

“Pasuri”, në kuptim të nr. Ligjit 111/2017, është pasuria e çdo lloji, e luajtshme ose e paluajtshme, si dhe të drejtat reale pasurore. Pasuria e paluajtshme e përdorur nga pronari ose bashkëpronari si banesë e tij parësore për jetesën familjare dhe sendet e përjashtuara nga sekuestrimi, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile, nuk konsiderohen pasuri për qëllime të Ligjit nr. 111/2017. Në kushtet që termat dhe konceptet në lidhje me pasuritë e paluajtshme janë më të qarta në legjislacionin shqiptar dhe gjatë zbatimit praktik të tij, për qëllime të zbatimit të Ligjit nr. 111/2017 është e rëndësishme që për efekte të kritereve të përzgjedhshmërisë së përfituesve të ndihmës juridike kur ata nuk i përkasin kategorive të veçanta, të mbahen parasysh përkufizimi i pasurisë së luajtshme i Kodit Civil, por edhe hollësi të tjera përkatëse që qartësojnë konceptin e pasurive të luajtshme në dispozita të tjera të legjislacionit shqiptar.

Pa kundërshtuar komentet përkatëse në pjesë të tjera të këtij Komentari, në lidhje me përkufizimet e mëposhtme të parashikuara nga gërmat ‘i‘, ‘j‘ dhe ‘h‘ të nenit 3 të Ligjit nr. 111/2017, këto tre përkufizime duhen lexuar në lidhje me njëra-tjetrën pasi plotësojnë elemente të këtyre përkufizimeve përkatëse.

Sipas gërmёs ‘i’ të nenit 3 të Ligjit nr. 111/2017, “Tarifa gjyqësore” është përkufizuar si “tarifa, sipas kuptimit të dhënë nga legjislacioni në fuqi për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Ligji nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në RSH” ka këtë përkufizim për ‘tarifat gjyqësore’: “Tarifat gjyqësore, sipas këtij ligji, janë: a) tarifa gjyqësore të përgjithshme, për paraqitjen e çështjeve në gjykata; b) tarifa gjyqësore të veçanta, për kryerjen e veprimeve procedurale në gjykata dhe shërbimet e administratës gjyqësore; dhe c) tarifa gjyqësore shtesë, në funksion të administrimit korrekt të procesit gjyqësor.”

“Shpenzimet gjyqësore” janë shpenzimet e kryera në kuadër të procesit gjyqësor, të nevojshme për gjykimin, sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin procedural, përveç tarifës gjyqësore.

Ligji nr. 111/2017 përkufizon në mënyrë të veçantë edhe “Përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore” si një formë te ndihmës juridike falas për përjashtimin nga pagesa e tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, me vendim të gjykatës kompetente, nëse plotësohen kriteret e vendosura nga ky ligj. Në lidhje me përjashtimet si formë e ndihmës juridike falas, lutem lexoni komentet në seksionin përkatës të këtij Komentari në lidhje me nenin 5 të Ligjit nr. 111/2017.

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.