Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Format e ndihmës juridike

Neni: 
5

Ndihma juridike jepet në format e mëposhtme:

a) ndihmë juridike parësore;

b) ndihmë juridike dytësore;

c) përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas ligjit, dhe përjashtim nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit.

Në lidhje me këtë nen, duket përkatëse referimi nё jurisprudencёn e GJEDNJ e cila orienton si më poshtë: “Të gjitha format e ndihmës juridike kanë një të përbashkët, ato duhet të jenë falas. 

Jurisprudenca e GJEDNJ ka qartësuar se çfarë do të thotë termi “falas””. Në çështjen Gennadiy kundër Rusisë, GJEDNJ është shprehur se kur kërkuesi nuk ka të paguajë, pra, kur nuk ka financa të mjaftueshme dhe nuk i ofrohet ndihmë juridike, kjo përbën shkelje të nenit 6/3 të KEDNJ por, nëse individi ka të ardhura dhe nuk i ofrohet ndihmë juridike, atëherë kjo nuk do të konsiderohet shkelje e KEDNJ.

Sё pari, ky nen përcakton tre format e ndihmës juridike falas. Së dyti, të tre format e ndihmës juridike të parashikuara në këtë nen por, edhe nё të gjithë Ligjin nr. 111/2017, duhen kuptuar që janë ndihmë juridike falas, përveç rasteve të formës së shtyrjes së detyrimit për pagesë të një tarife të caktuar (shih më poshtë komentet përkatëse në këtë seksion të Komentarit).

Për qëllime të leximit të pikave të këtij neni 5 të ligjit, duhen konsultuar përkufizimet përkatëse të ndihmës juridike parësore, ndihmës dytësore, dhe përjashtimet nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet të cilat parashikohen në nenin 3 të Ligjit nr. 111/2017.

Ndihmë juridike parësore

“Ndihmë juridike parësore” është: i) dhënia e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor; ii) dhënia e këshillimit; iii) dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve; iv) dhënia e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore; v) përfaqësimi përpara organeve administrative; dhe vi) dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmëjuridike dytësore.

Ndihma parësore falas, është faktor kyç lidhur me garantimin e aksesit në drejtësi të qytetarëve, sepse ajo mbulon ofrimin e informacionit të domosdoshëm mbi metodat dhe procedurat përkatëse të aksesit paragjyqësor të grupeve vulnerabël. Ndihma parësore ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për garantimin e të drejtës për informim të qytetarit për të drejtat e tij lidhur me akesin në shërbime publike dhe aksesin në institucionet publike, por edhe edukimin e tij me zgjidhjen e çështjeve në mënyra të tjera ndërmjetësimi paragjyqësore. Kjo zgjidhje, për rrjedhojë, sjell dhe përfitime të tjera të karakterit publik, si mosdërgimi i çështjeve në gjykatë, duke zvogëluar ngarkesën e tyre, zgjidhja në rrugë administrative me sa më pak kohë e energji, duke e bërë zgjidhjen juridike efiçente, etj.[1]

Ndihmë juridike dytësore

Veçanti për ndihmën juridike parësore që jepet në formën e këshillimeve specifike, apo edhe hartimit të dokumenteve përkatëse ligjore, është që ato kanë lidhje me mbrojtjen edhe përfaqësimin e kërkuesve të ndihmës juridike në organet dhe institucionet e administratës shtetërore.      

“Ndihmë juridike dytësore” është shërbimi juridik që ofrohet për përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën; ofrimi i këshillimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes para gjykatës në çështjet administrative, civile dhe në çështjet penale, për të cilat nuk zbatohet mbrojtja e detyrueshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural penal. Ky përkufizim nuk duhet lexuar si shterues por, duhet interpretuar që përfshin edhe të gjitha format e ndihmës juridike dytësore të cilat maksimizojnë mbrojtjen efektive të interesave të përfituesve. Kështu, për shembull, shërbimet clinics për të aftësuar përfituesit të mbrojnë veten në gjykatat shqiptare, mund të ofrohen kur vlerësohet se përfituesi ka nivel mendor, arësimor dhe intelektual që mundëson mbrojtje efektive.    

Ndihma juridike dytësore jepet për çështje konkrete në formën e këshillimeve specifike apo edhe hartimit të dokumenteve përkatëse ligjore, që kanë lidhje me mbrojtjen edhe përfaqësimin e kërkuesve të ndihmës juridike në gjykatat e sistemit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Në lidhje me ndihmën juridike dytësore vlen të përmendet se Direktiva 2002/8/EC në nenin 10 ‘Procedurat jashtëgjyqësore’ parashikon: “Ndihma juridike do të shtrihet edhe në procedurat jashtëgjyqësore, në kushtet e përcaktuara në këtë Direktivë, nëse ligji kërkon që palët t'i përdorin ato, ose nëse palët në mosmarrëveshje janë urdhëruar nga gjykata që t'u drejtohen atyre”.

Ndihmë juridike si përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore, shpenzimeve gjyqësore dhe nga parapagimi i tarifës së vënies në ekzekutim të urdhrit për ekzekutim

Në lidhje me ndihmën juridike falas që jepet në formën e përjashtimit nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas ligjit, dhe përjashtim nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit, e rëndësishme është kuptimi i elementëve dhe mënyrave të përjashtimit të parashikuara në vetë Ligjin nr. 111/2017, si dhe përjashtimet e parashikuara nga neni 9 ‘Përjashtime nga pagesa e tarifës gjyqësore’ i Ligjit nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore”: “1. Palët ndërgjyqëse mund të përjashtohen nga detyrimi për të paguar tarifë gjyqësore ose shpenzimet e tjera gjyqësore kur është bërë kërkesë prej tyre, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për ndihmën juridike. 2. Çdo organ publik buxhetor që kryen funksione administrative, gjykatat ose prokuroria, përjashtohen nga detyrimi për të paguar tarifë gjyqësore, përveç rasteve kur humbasin çështjen gjyqësore dhe ligji procedural parashikon detyrimin e tyre për paguar shpenzimet e palës tjetër. 3. Rregulli i parashikuar në pikën 2, të këtij neni, nuk zbatohet për Avokaturën e Shtetit, e cila përjashtohet edhe nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore”.

Është i rëndësishëm të trajtohet dallimi midis tarifës gjyqësore dhe shpenzimeve të tjera gjyqësore, duke qenë se neni 5 pika ‘c’ e Ligjit nr. 111/2017 parashikon shprehimisht për ndihmën juridike në formën e “përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas ligjit, dhe përjashtim nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit”.

Neni 102 i Kodit të Procedurës Civile përcakton se shpenzimet gjyqësore[1] përbëhen nga tarifat dhe nga shpenzimet e tjera të nevojshme të gjykimit. Nga kjo kuptojmë që tarifat gjyqësore janë vetëm një nga kategoritë e shpenzimeve gjyqësore. Tarifat gjyqësore, llojet e tyre dhe të tjera çështje që lidhen me to, rregullohen me Ligjin nr.98/2017 “Për tarifat gyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Neni 3 i këtij ligji, përkufizon se “Tarifa gjyqësore” është një pagesë që personi që ka vënë në lëvizje gjykatat e zakonshme ose Gjykatën Kushtetuese kryen nëpërmjet administratës gjyqësore në favor të administratës tatimore qëndrore. Nga ky përkufizim i nenit 3 kuptohet se tarifa gjyqësore është një detyrim për një shërbim publik që të mundëson aksesin në gjykatë, pra, për të vënë në lëvizje aparatin gjyqësor për të marrë shërbimin e drejtësisë. Shpenzimet e tjera gjyqësore si p.sh.tarifa për ekspertin ose tarifa për avokatin janë shpenzime që nuk përfshihen në konceptin e tarifës gjyqësore dhe të gjitha ato së bashku përbëjnë shpenzimet e përgjithshme gjyqësore të palëve në  proces. Neni 4 i këtij ligji sqaron se tarifa gjyqësore zbatohet edhe për çështjet gjyqësore, por edhe për të marrë shërbimet administrative të ofruara nga gjykata. Për qëllime të zbatimit të Ligjit nr. 111/2017, duhet të mbajmë parasysh se tarifat gjyqësore, sipas këtij Ligjit për Tarifat Gjyqësore, ndahen në: a) tarifa gjyqësore të përgjithshme, për paraqitjen e çështjeve në gjykata; b) tarifa gjyqësore të veçanta, përkryerjen e veprimeve procedurale në gjykata dhe shërbimet e administratës gjyqësore; dhe c) tarifa gjyqësore shtesë, në funksion të administrimit korrekt të procesit gjyqësor.

Përkufizime të tarifës gjyqësore dhe të shpenzimeve gjyqësore parashikohen edhe nga neni 3 i vetë Ligjit nr. 111/2017: “Tarifa gjyqësore” është tarifa, sipas kuptimit të dhënë nga legjislacioni në fuqi për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë. Përkufizimi i tarifës gjyqësore sipas Ligjit 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në RSH” është dhënë në seksionin përkatës të këtij Komentari në lidhje me nenin 3 “Përkufizime” të Ligjit nr. 111/2017.“Shpenzimet gjyqësore” janë shpenzimet e kryera në kuadër të procesit gjyqësor, të nevojshme për gjykimin, sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin procedural, përveç tarifës gjyqësore.

Janë pikërisht këto përkufizime të cilat duhet të përdoren për qëllime të Ligjit nr. 111/2017 dhe, veçanërisht, për formën e ndihmës juridike si përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore.

Më tej, në lidhje me këtë formë të ndihmës juridike, dhe veçanërisht me formën e përjashtimit nga shpenzimet gjyqësore, kujtojmë që Direktiva 2002/8/EC në nenin 8 ‘Kostot e mbuluara nga Shteti Anëtar i vendbanimit ose vendbanimi i zakonshëm’ parashikon: “Shteti Anëtar, në të cilin kërkuesi i ndihmës juridike është i vendosur ose ka vendbanimin e zakonshëm do të sigurojë ndihmë juridike, siç përmendet në Nenin 3 (2), i nevojshëm për të mbuluar: (a) kostot që lidhen me ndihmën e një avokati vendor ose ndonjë tjetër personi tjetër që ka të drejtë me ligj të japë këshilla juridike, të ndodhura në atë Shtet Anëtar deri në aplikimin për ligj ndihma është pranuar, në përputhje me këtë Direktivë, në shteti anëtar ku gjykata;...”.

Po kёshtu, në lidhje me këtë formë të ndihmës juridike falas duhet të mbahet parasysh se dispozitat ligjore përkatëse në fuqi parashikojnë përjashtim nga tarifat gjyqësore, por edhe për raste të shtyrjes së pagesës dhe kthim të përfitimeve. Aktet nënligjore përkatëse të miratuara deri më tani janë si më poshtë:

                (i) Udhëzim i Ministrit të Drejtësisë nr.6 datë 20.08.2019 “Për rregullat dhe procedurat e kryerjes së pagesave të shpenzimeve gjyqësore, për të cilat është vendosur përjashtimi në rastin e dhënies së ndihmës juridike”;

                (ii) Udhëzim i Ministrit të Drejtësisë nr.2 datë 25.03.2019 “Për procedurat, periodicitetin dhe rregullat për verifikimin e rrethanave për kthimin e përfitimeve”;

                (iii) Udhëzim i Këshillit të Ministrave nr.1 datë 06.03.2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr.4, datë 12.12.2012 “Për përcaktimin e masës së shpenzimeve dhe pagesave të ekspertëve dhe dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor”; dhe akte të tjera përkatëse.

Në këto kushte, për qëllime të rasteve të përjashtimit, mbajmë në vëmendje jo vetëm dispozitat përkatëse të Ligjit 111/2017 por, edhe Udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë nr. 6, datë 20.08.2019 “Për rregullat dhe procedurat e kryerjes se pagesave të shpenzimeve gjyqësore, pёr të cilat është vendosur përjashtim në rastin e dhënies së ndihmës juridike”.

Në lidhje me “Tarifёn për vënien në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit”, ligji ka këtë përkufizim: “është tarifa që i parapaguhet shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror, për vënien në ekzekutim të një titulli ekzekutiv, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi”. Duhet qartësuar se në lidhje me tarifën e zbatueshme për vënien në ekzekutim të urdhrave të ekzekutimit, ligji parashikon shprehimisht se konsiderohet ndihmë juridike përjashtimi nga parapagimi i tarifёs përkatëse. Nëse ky përjashtim kompensohet pas ekzekutimit nga përfituesi i ndihmës juridike ose jo, kjo nuk është parashikuar në mënyrë të shprehur dhe të hollësishme në Ligjin nr. 111/2017, por nga formulimi i dispozitës duket që është një përjashtim vetëm në fazën e parapagimit dhe, në këto kushte, mund të konsiderohet si ‘shtyrje’ e pagimit të tarifës përkatëse.  

Në lidhje me këtë formë të ndihmës juridike falas, në kushtet që tarifat gjyqësore përfshihen në përkufizimin e detyrimeve ndaj shtetit të parashikuar në Ligjin për Procedurat Tatimore[2] mund të konsiderohen si detyrime tatimore, vlen të vëmë në vëmendje nenin 155 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon shprehimisht: “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”. Në praktikën disa vjeçare fiskale, ky nen kushtetues është interpretuar dhe është zbatuar duke ngarkuar detyrime fiskale, mundësuar lehtësi ose përjashtime fiskale, apo edhe shtyrje fiskale vetëm nëse këto janë parashikuar shprehimisht në një ligj të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe ato zbatohen në mënyrë shteruese dhe vetëm në mënyrën e parashikuar shprehimisht nga ligji përkatës. Në lidhje me përjashtimet ose shtyrjet e parashikuara shprehimisht për tarifat gjyqësore nga Ligji nr. 111/2017 dhe Ligji nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në RSH”, si një nga format e ndihmës juridike falas, është e rëndësishme të identifikohen qartë cilat tarifa gjyqësore përjashtohen dhe cilat shtyhen. Për këtë, gjithnjë, duhet të mbahen në vëmendje përkufizimi i tarifave gjyqësore (shih më sipër në këtë seksion të Komentarit) si dhe nëse për secilën prej tyre është parashikuar regjim përjashtimi apo shtyrje.

Duke iu referuar akteve nënligjore të miratuar tashmë në zbatim të Ligjit nr. 111/2017, identifikojmë edhe një formë tjetër të përjashtimit nga tarifat apo shpenzimet gjyqësore në formën e kthimit të pagesave të kryera, e zbatueshme kjo në rast të ndryshimit të rrethanave financiare ose për rastet kur përfituesit nuk dëshirojnë të ndjekin me tej rrugën gjyqësore, ose kanë paraqitur të dhëna të pavërteta ose te pasakta, duke pranuar kthimin vullnetar të shumës se përfituar për këtë qëllim. Kështu, për qëllime të rasteve të kthimit të tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore të paguara duhet të konsiderohen jo vetëm dispozitat përkatëse të Ligjit nr. 111/2017, por edhe Udhëzim i Ministrit të Drejtësisë nr. 2 datë 25.3.2019 "Për procedurat, periodicitetin dhe rregullat për verifikimin e rrethanave për kthimin e përfitimeve” (shih Shtojca 6 e këtij Komentari).

Gjatë zbatimin të formës së ndihmës juridike nëpërmjet përjashtimit nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, në mënyrë të veçantë, vemë në vëmendje se neni 9 ‘Përjashtime nga pagesa e tarifës gjyqësore’ i Ligjit nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”[3] parashikon shprehimisht: “1. Palët ndërgjyqëse mund të përjashtohen nga detyrimi për të paguar tarifë gjyqësore ose shpenzimet e tjera gjyqësore, kur është bërë kërkesë prej tyre sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për ndihmën juridike....”

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.