Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Detyrat e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas

Neni: 
8

Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas është person juridik publik nën varësinë e Ministrit të Drejtësisë, në kuptimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Organizimi i brendshëm i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas miratohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas rregullohen në bazë të legjislacionit në fuqi për nëpunësit civilë. Marrëdhëniet e punës të punonjësve me trajnim të posaçëm pranë qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore dhe të personelit ndihmës të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas rregullohen sipas Kodit të Punës.
Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas kryen këto detyra: 

  • zbaton politikën shtetërore në fushën e ndihmës juridike;  
  • i paraqet Ministrit të Drejtësisë raporte tremujore mbi zbatimin e këtij ligji dhe mbi përdorimin e mjeteve financiare buxhetore të alokuara për ofrimin e ndihmës juridike;
  • vlerëson kostot dhe planifikon shpenzimet e lidhura me dhënien e ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë për t’u përfshirë në buxhetin e shtetit; 

ç)    menaxhon fondet buxhetore për dhënien e ndihmës juridike; 

d)  mbledh dhe analizon informacionin mbi dhënien e ndihmës juridike për të përmirësuar funksionimin e      sistemit të ofrimit të ndihmës juridike dhe organizon fushata për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi ofrimin e ndihmës juridike dhe kushtet për përftimin e saj;  

 dh) harton raportet vjetore për veprimtarinë e saj në lidhje me zbatimin e këtij ligji dhe të politikës shtetërore në fushën e ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë;   

e) bashkëpunon me organizata ndërkombëtare, me klinika ligjore dhe me organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja në zhvillimin e sistemit të ndihmës juridike, nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit ligjor të publikut; 

ë)  harton kontratën tip me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipasparashikimeve të këtij ligji; 

f) lidh kontrata me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe kryen pagesat përkatëse; 

bashkëpunon me Departamentin e Administratës Publike për miratimin e programeve të trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm për punonjësit me trajnim të posaçëm, mbikëqyr zbatimin e tyre dhe rishqyrton periodikisht standardet për trajnimin dhe performancën profesionale të punonjësve me trajnim të posaçëm; 

gj) administron, bazuar në urdhrin përkatës të Ministrit të Drejtësisë, qendrat e shërbimit të ndihmës   juridike parësore, në ambientet e gjykatave të rretheve gjyqësore ose në ambiente të tjera të përshtatshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për administratën shtetërore; 

publikon listën e avokatëve, të cilët ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në faqen zyrtare të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas;
publikon kontratën tip me avokatët për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike dytësore, pas miratimit nga Ministri i Drejtësisë;
kryen pagesat, bazuar në tarifat përkatëse të shpërblimit të avokatëve, të cilët ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
lidh, deri më 1 mars të çdo viti kalendarik, kontratat e përvitshme të shërbimit me avokatët e përfshirë në listën e miratuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë për ofrimin e ndihmës juridike dytësore; 

zbaton sistemin e vlerësimit të cilësisë së dhënies së ndihmës juridike;
 mbikëqyr çdo vit standardet e ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore dhe dytësore nga organizatat jofitimprurëse dhe avokatët;

m) zbaton rregullat për rimbursimin e pagesave, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe mbron interesat e buxhetit të shtetit; 

harton dhe i propozon Ministrit të Drejtësisë aktet nënligjore, sipas parashikimeve të këtij ligji;

nj) mban, mbledh, plotëson dhe administron të dhënat e regjistrit të kërkesave dhe vetëdeklarimeve të subjekteve të këtij ligji dhe të dhënat e regjistrit të organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore, sipas rregullave dhe procedurave të miratuara nga Ministri i Drejtësisë;

kryen të gjitha detyrat e tjera që i caktohen me këtë ligj. 

Statusi i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas

Statusi i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas përcaktohet në nenin 8, pika 1, të Ligjit nr. 111/2017. Sipas përcaktimeve të kësaj dispozite, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas është një person publik në varësi të Ministrit të Drejtësisë. Bazuar në nenin 6 ‘Institucionet e varësisë’ të Ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, institucionet e varësisë “krijohen për të kryer ato funksione administrative, të përcaktuara, brenda fushës së përgjegjësisë së përgjithshme shtetërore, kryerja e të cilave kërkon shkallë të lartë specializimi në menaxhim apo drejtim, dhe kanë të bëjnë me zbatimin e drejtpërdrejtë të ligjit, ofrimin e shërbimeve publike për popullatën...”. Bazuar në këtë dispozitë, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas është krijuar për të kryer funksione administrative të përcaktuara në Ligjin nr. 111/2017 dhe që kërkojnë shkallë të lartë profesionalizmi që kanë të bëjnë me zbatimin e drejtpërdrejtë të Ligjit për Ndihmën Juridike Falas. Ky institucion është krijuar me ligj dhe ka personalitet juridik publik. Ministri përgjegjës për Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas është Ministri i Drejtësisë. Sipas nenit 18 ‘Institucionet e varësisë’ të Ligjit nr. 90/2012, si institucion varësie, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori i cili i raporton Ministrit të Drejtësisë.

Sipas nenit 18 pika 4 te Ligjit nr. 90/2012, shërbimet e brendshme mbështetëse, funksionet e menaxhimit financiar dhe të auditit të brendshëm, etj., në Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas, si nje institucion varësie me një numër të madh punonjësish[1], kryhen nga strukturat administrative, që kryejnë shërbimet e brendshme mbështetëse, funksionet e menaxhimit financiar, si dhe auditimin e brendshëm, të cilat janë krijuar brenda institucionit dhe i raportojnë drejtpërdrejt Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Sipas Urdhrit të Kryeministrit nr.59 datë 25.03.2019 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas”, struktura e kësaj drejtorie përfshin edhe Drejtorinë e Financës, Arkivit dhe Shërbimeve mbështetëse.

Si institucion publik, financimi i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas bazohet mbi të gjitha në buxhetin e shtetit, duke patur edhe mundësinë të arkëtojë fonde të tjera sipas përcaktimeve të nenit 9 ‘Arkëtimet’ të Ligjit nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku një nga të ardhurat është edhe të ardhurat nga grantet[2]. Kjo i mundëson Drejtorisë në fjalë që, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, të rrisë kapacitetet në ngritje fondesh për të patur financim të mjaftueshëm për zbatimin me cilësi të detyrave dhe përgjegjësive të caktuara me ligj për Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas.     

Me tej, sipas nenit 18 pika 6 e Ligjit 90/2012, drejtuesi i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas mund të krijojë, sipas nevojës, grupe pune. Pika 5 e nenit 16 të këtij ligji zbatohet edhe në këtë rast: “5. Për kryerjen e detyrave të përkohshme, komplekse, që kërkojnë një qasje ndërsektoriale, mund të krijohen grupe pune të përbëra nga nëpunës civilë të ministrisë dhe institucioneve të varësisë. Ato mund të përfshijnë edhe ekspertë të jashtëm. Grupet e punës krijohen me urdhër të ministrit apo të sekretarit të përgjithshëm. Nëse nuk parashikohet ndryshe në urdhrin përkatës të krijimit, grupi i punës kryesohet nga anëtari që ka nivelin më të lartë të nëpunësit civil. Shpërblimi i ekspertëve të jashtëm rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe specifikohet në urdhrin që krijon grupin e punës”.

Në lidhje me aspekte të organizimit të strukturës organizative dhe të personelit të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, tashmë është miratuar Urdhri i Kryeministrit nr.59 datë 25.03.2019 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas”.

Sipas këtij Urdhri, struktura e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas është si në tabelën e mëposhtme dhe numri i punonjësve të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas duhet të jetë gjithsej 25 veta. Struktura është ndërtuar dhe miratuar në funksion të detyrave të përcaktuara nga Ligji nr. 111/2017 për këtë drejtori:

DREJTORI I PËRGJITHSHËM

1

DREJTORIA E ZBATIMIT TË POLITIKAVE DHE ADMINISTRIMIT TË NDIHMËS PARËSORE

5

DREJTORIA E MBIKQYRJES SË STANDARTEVE TE OFRIMIT TË SHËRBIMEVE TË NDIHMËS JURIDIKE

6

DREJTORIA E FINANCËS ARKIVIT DHE SHËRBIMEVE MBËSHTETËSE

5

QËNDRA E SHËRBIMIT TË NDIHMËS JURIDIKE PARËSORE

8

Detyrat e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas 

Bazuar në nenin 8, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas duhet konceptuar si një organ me detyra rregullatore në sektorin e ndihmës juridike; funksionet operatore ushtrohen nga qendrat e shërbimit dhe operatoret e tjerë të ndihmës juridike parësore ose dytësore, përfshirë edhe avokatët.   

Në lidhje me detyrat përkatëse, Drejtoria për Ndihmën Juridike Falas, administron dhe monitoron shpenzimet për ndihmën juridike që rrjedhim si detyrim nga vendimet gjyqësore, mban kontakte me drejtuesit e gjykatave të rretheve gjyqësore për evidentimin e të dhënave të vendimeve për ndihmën juridike falas, menaxhon buxhetin e dhënë për ofrimin e ndihmës juridike nga shteti për të cilën raporton tek Ministri në mënyrë të herëpashershme, lidh kontratat e shërbimit me avokatët për ndihmë juridike pas vendimit gjyqësor në konsultim me Dhomën Kombëtarë të Avokatisë sipas përzgjedhjes së aplikuesit, asiston qytetarët për plotësimin e formularëve për t’ju drejtuar gjykatave për kërkesat për ndihmë juridike falas, informon qytetarët për parashikimet e ligjit lidhur me kriteret, procedurat, dokumentacionin dhe kushtet e përfitimit te ndihmës juridike falas nëpërmjet shërbimeve juridike ambulante, publikimeve, fushatave në TV dhe median e shkruar, si dhe nëpërmjet masave të tjera të ngjashme, etj[1].

Në lidhje me detyrat e përcaktuara nga neni 8, pika 2/a, të Ligjit nr. 111/2017, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas është njësia zbatuese e politikave dhe strategjive mbi ndihmën juridike të zhvilluara nga Ministri i Drejtësisë dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave.      

Në lidhje me detyrat e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas sipas gërmave të mëposhtme të nenit 8 të Ligjit 111/2017 “b) i paraqet Ministrit të Drejtësisë raporte tre mujore mbi zbatimin e këtij ligji dhe mbi përdorimin e  mjeteve financiare buxhetore të alokuara për ofrimin e ndihmës juridike;  c) vlerëson kostot dhe planifikon shpenzimet e lidhura me dhënien e ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë për t’u përfshirë në buxhetin e shtetit; ç) menaxhon fondet buxhetore për dhënien e ndihmës juridike;...”. Sipas Urdhrit të Kryeministrit nr. 59 datë 25.03.2019 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas”, struktura e kësaj drejtorie përfshin edhe Drejtorinë e Financës, Arkivit dhe Shërbimeve mbështetëse, dhe është pikërisht kjo strukturë që kryen detyrat e përmendura në gërmat ‘b’, ‘c’ dhe ‘d’ të nenit 8 të Ligjit nr. 111/2017. Për më shumë, shih paragrafin përkatës më sipër në lidhje me burimet e financimit të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.

Në lidhje me detyrat e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas sipas gërmave të mëposhtme të nenit 8 të Ligjit nr. 111/2017 “e) bashkëpunon me organizata ndërkombëtare, me klinika ligjore dhe me organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja në zhvillimin e sistemit të ndihmës juridike, nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit ligjor të publikut; ë) harton kontratën tip me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji; f) lidh kontrata me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe kryen pagesat përkatëse;..”, është miratuar Urdhri i Ministrit të Drejtësisë nr.226 datë 25.03.2019 “Për miratimin e kontratave të ndihmës juridike të garantuar nga shteti”, përfshirë edhe kontratën tip me avokatët që do të ofrojnë ndihmë juridike dytësore. Këto kontrata standard, pavarësisht se miratohen me akte të Ministrit të Drejtësisë, ato lidhen mes Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe operatorëve të ndihmës juridike parësore ose dytësore. Në thelb, kontrata  midis Drejtorisë dhe operatorëve private të ndihmës juridike është një kontratë dypalëshe administrative sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Administrative[2].     

Në lidhje me detyrat e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas sipas gërmës së mëposhtme të nenit 8 të Ligjit 111/2017 “dh) harton raportet vjetore për veprimtarinë e saj në lidhje me zbatimin e këtij ligji dhe të politikës shtetërore në fushën e ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë”, kjo është një detyrë funksionale e cila rrjedh edhe në bazë të Ligjit për Ministrinë e Drejtësisë.

Detyrat në lidhje me ndërgjegjësimin e publikut mbi disponueshmërinë e ndihmës juridike falas dhe kushtet e dhënies së saj (gërma ‘d’ dhe ‘e’ e nenit 8 të Ligjit nr. 111/2017) duhen kuptuar si një detyrë e rëndësishme e kësaj drejtorie që, mbi të gjitha, ndikon në rritjen e efiçiencës dhënies së ndihmës juridike dhe, si pasojë, edhe të cilësisë së dhënies së ndihmës juridike.

Në lidhje me detyrën e kësaj drejtorie sipas gërmes ‘g’, duhet mbajtur parasysh edhe përkufizimi i “Trajnim i posaçëm” në nenin 3 të Ligjit nr. 111/2017 si “program i trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm, i miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, për punonjësit  që ofrojnë ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore”. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas zhvillon dhe miraton programin e trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm, së bashku me Qendrën e Trajnimeve të Administratës Publike, dhe kjo e fundit është operatori i dhënies së trajnimeve[3] dhe çertifikimeve përkatëse të punonjësve me trajnim të posaçëm të cilët punojmë në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore.  

Disa nga detyrat e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas bëhen më të qarta duke lexuar formulimet përkatëse të këtij neni me aktet nënligjore përkatëse. Sipas Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë nr.6 datë 25.03.2019, pika 2, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas kryen pagesat e shpenzimeve gjyqesore për dëshmitarët, ekspertët, përkthyesit dhe për këqyrjen e sendeve ose këqyrjen në vend, sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural, për të cilat gjykata ka vendosur përjashtimin nga pagimi i shpenzimeve gjyqësore. Po sipas këtij Udhëzimi, pika 1 dhe 2, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas verifikon në mënyrë periodike, çdo vit, gjendjen ekonomike dhe financiare të subjekteve përfituese të ndihmës juridike, si dhe fazën në të cilën ndodhet gjykimi me palë subjektin përfitues, dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas mund të kryejë verifikim në kohë në rast se ka të dhëna apo indicie për ndryshimin e rrethanave.

Hollësi të mëtejshme të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara në këtë nen të Ligjit nr. 111/2017 për Drejtorinë e NdihmëS Juridike Falas, parashikohen në aktet nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji. Kështu, Udhëzimi nr.1 datë 08.03.2010 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për mbledhjen, plotësimin dhe miratimin e rregullave dhe procedurave për mbledhjen, plotësimin dhe administrimin e të dhënave të regjistrave”, është një akt nënligjor i rëndësishëm në këtë kuptim.

Po kështu, Udhëzimi i Këshillit të Ministrave nr.1 datë 06.03.2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr.4, datë 12.12.2012 “Për caktimin e masës së shpenzimeve dhe pagesave të ekspertëve dhe dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor”, parashikon se në fillim të çdo viti kalendarik, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas publikon listën e ekspertëve të cilët ofrojnë ekspertizë në një proces gjyqësor mbështetur në të dhënat e Regjistrit Elektronik të Ekspertëve që administron Ministria e Drejtësisë. Përfshirja e ekspertëve në listën e publikuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bëhet bazuar në kërkesën dhe vullnetin e shprehur të ekspertit.  Referuar parashikimeve të reja të Kodit të Procedurës Civile, të miratuara me Ligjin nr. 38/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8116 date 29.3.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ndryshimin e neneve 224 e vijuese që përcakton procedurën e thirrjes së ekspertëve në gjykatë është parashikuar, në rast se lista e publikuar nuk përmban ekspertë në fushën e kërkuar ose kur asnjë nga ekspertët që janë në listë nuk është i disponueshëm, gjykata thërret ekspertë të tjerë të përfshirë në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve, në përputhje me veçantinë e fushës së kërkuar. Udhëzimi parashikon se gjykata, pa cënuar administrimin e drejtësisë, shpërndan çështjet gjyqësore për të njëjtën ekspertizë në mënyrë të drejtë ndërmjet ekspertëve të regjistruar në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve, duke konsideruar që çdo eksperti nuk mund t’i caktohet për të ofruar ekspertizën e tij, më shumë se 30% e numrit të çështjeve gjyqësore për të cilat është kërkuar e njëjta lloj ekspertize. Në këtë rast, gjykata siguron transparencën e procesit të përzgjedhjes së ekspertit përmes mjeteve informatike.

Edhe akte të tjera nënligjore, si Udhëzimi i Ministrit të Drejtësisë nr.2 datë 25.3.2019 "Për procedurat, periodicitetin dhe rregullat për verifikimin e rrethanave për kthimin e përfitimeve”, etj., parashikojnë më shumë hollësi për detyrat dhe përgjegjësitë funksionale të parashikuara për këtë drejtori në nenin 8 të Ligjit nr. 111/2017 dhe, për këtë arsye, vetë Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas por, edhe çdo palë e interesuar për të kuptuar detyrat dhe përgjegjësitë e kësaj drejtorie, duhet të drejtohet në ligj dhe aktet nënligjore përkatëse.     

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.