Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Dhënia e ndihmës juridike parësore nga punonjësit me trajnim të posaçëm

Neni: 
14

Ndihma juridike parësore jepet pranë qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore ose në ambiente të tjera të përshtatshme, sipas parashikimeve të këtij ligji, nga punonjësit me trajnim të posaçëm të punësuar pranë këtyre qendrave. 

Neni 3, gërma ‘d’, përkufizon si “Qendër shërbimi e ndihmës juridike parësore” një njësi të specializuar për dhënien e ndihmës juridike parësore, e organizuar si “njësi e drejtpërdrejtë e ofrimit të shërbimeve”.

Në bazë të Ligjit nr. 111/2017 është parashikuar se ‘Qendra e shërbimit të ndihmës juridike parësore’ është një njësi e specializuar e cila ofron ndihmë juridike parësore nëpërmjet punonjësve me trajnim të posaçëm të punësuar pranë saj. Ato duhen konceptuar si qendra të ofrimit të drejtpërdrejtë të shërbimit të ndihmës ligjore, pra, si operatorë të shërbimit përkatës. Siç është përmendur më sipër në këtë Komentar, punonjës me trajnim të posaçëm është punonjësi, i diplomuar nga një program i ciklit të dytë të studimeve në drejtësi, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe që i është nënshtruar një trajnimi të posaçëm. Trajnim i posaçëm është programi i trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm, i miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, për punonjësit që ofrojnë ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore (neni 3/d, 'dh', 'e')[1]. Sipas kuptimit të ligjit, vetëm këta punonjës mund të ofrojnë ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore. Ligji ka parashikuar sa më sipër për qëllime të standardeve dhe cilësive të cilat duhet të plotësojë ndihma juridike në përputhje me ato të parashikuara nga KEDNJ, Kushtetuta e Shqipërisë, Ligji nr. 111/2017 dhe aktet nënligjore përkatëse, dispozitat ligjore përkatëse të tjera, si dhe Direktivat përkatëse të BE. 

Pa kundërshtuar sa më sipër, në lidhje me qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore, të cilat duhet të financohen nga fonde publike, duhet mbajtur kujdes që puna e tyre duhet të orientohet nga kërkesa e kërkuesve të ndihmës juridike dhe interesi i tyre i cili duhet të mbizotërojë gjithnjë në punën e këtyre qendrave edhe kur ato financohen nga fonde publike. Përndryshe, puna e kёtyre qendrave mund të konsiderohet në konflikt interesi.        

Raportet e monitorimit të publikuara deri në datën e këtij Komentari tregojnë se edhe trajnimet e posaçme të personave të punësuar në qendrat e ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore, duhen orientuar kryesisht me njohjen e standardeve të efiçencës dhe efektivitetit të kërkuara prej organeve të administratës publike kompetente për zbatimin e legjislacionit social-ekonomik[2].

Ky nen paraqet në mënyrë jo shumë të zgjeruar edhe standardin për domosodoshmërinë e dhënies së ndihmës juridike në mjedise të përshtatshme. Kjo duhet kuptuar, që mjediset fizike të mundësojnë mbi të gjitha respektimin e parimeve kryesore të dhënies së ndihmës ligjore, të tilla si, ruajtja e konfidencialitetit, etj.   

Ligji nr. 111/2017 nuk ka përmendur shprehimisht ndihmën juridike parësore që ofrohet nga administrata gjyqësore dhe nga punonjësit e administratës publike krahas kryerjes së detyrave të tyre funksionale. Detyrimi për ofrimin e kësaj ndihme juridike nuk rrjedh nga Ligji nr. 111/2017 por, nga ligjet organike përkatëse. Veçanërisht, për administratën gjyqësore është kërkesë e standardit të maksimizimit të aksesit në drejtësi, si dhe e pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor që orienton dhënien e ndihmës juridike parësore nga punonjësit përkatës. Kufijtë e ndihmës juridike parësore orientohen dhe vendosen pikërisht duke respektuar këto standarde bazë. Tashmë është realitet, që Shkolla e Magjistraturës gjatë trajnimit të punonjësve të administratës gjyqësore i orienton ata nëpërmjet trajnimeve të specializuara mbi detyrën për të dhënë ndihmë juridike parësore dhe kufijtë e kësaj ndihmës juridike parësore në konkurrueshmërinë e parimit të maksimizimit të aksesit në drejtësi me parimin e pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor.  

 

 

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.