Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Dhënia e ndihmës juridike parësore nga klinikat ligjore

Neni: 
16

Ndihma juridike parësore jepet nga klinikat ligjore të ngritura pranë institucioneve të arsimit të lartë. 
Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bashkëpunon me klinikat ligjore, sipas kushteve dhe kritereve të parashikuara në marrëveshjet përkatëse të bashkëpunimit për trajnimin dhe përditësimin e njohurive të studentëve të përfshirë pranë këtyre klinikave, mbi çështjet e lidhura me ndihmën juridike parësore.

Sipas nenit 3 gërma ‘ë’ e Ligjit nr. 111/2017, “Klinikë ligjore” është njësia përbërëse e një institucioni të arsimit të lartë, e organizuar dhe që funksionon sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë[1] dhe që ofron ndihmë juridike parësore pa qëllim fitimi, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.  

Bazuar në nenin 22 të Ligjit nr. 80/2018 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, njësitë përbërëse të institucioneve të arsimit të lartë të cilat organizohen dhe funksionojnë në zbatim të këtij ligji janë: njësitë kryesore, njësitë bazë dhe njësi të tjera, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Njësitë kryesore janë fakultetet, institutet kërkimore-shkencore dhe kolegjet profesionale të larta, në rastet kur ngrihen pranë institucioneve të arsimit të lartë që kanë statusin e universiteteve dhe kolegjeve universitare. Njësitë bazë janë departamentet dhe qendrat kërkimore-shkencore[2]. Pranë njësive kryesore krijohen njësitë bazë si departamentet. Departamenti është njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore të fakultetit, i cili përfshin fusha kërkimi të përafërta dhe grupon disiplinat mësimore respektive.[3] Ai është përgjegjës për programet e studimit që ofron dhe departamenti mund të organizohet në grupe mësimore dhe në grupe të përhershme ose të përkohshme me karakter kërkimor-shkencor, në përputhje me llojin dhe misionin e institucionit.[4] Si shembull, bazuar në Statutin e Universitetit të Tiranës, departamenti si njësi bazë ushtron personalitetin juridik të mëvetësishëm në përputhje me legjislacionin në fuqi të zbatueshëm për arsimin e lartë[5]. Gjithashtu, departmenti mund të ofrojë shërbime për të tretë, si dhe të zhvillojë veprimtari të tjera, sipas legjislacionit në fuqi[6]. Bazuar në sa më sipër, në lidhje me statusin ligjor të klinikave ligjore pranë Universitetit të Tiranës, interpretohet që klinikat ligjore janë njësi strukturore e njësive bazë në formën e departamentit sipas Ligjit nr. 80/2018. Baza ligjore më sipër dhe ky shembull orienton që klinikat ligjore pranë mund të kërkojë nëpërmjet fakulteteve përkatëse, si njësi themelore me personalitet juridik për të kontraktuar për qëllime akademike për nënshkrimin e marrëveshjeve me Drejtorinë e Ndihmës Juridike dhe vetëm për përfshirjen e klinikave në dhënien e ndihmës juridike parësore. Ndërkohë, për qëllime të marrjes së financimeve nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas për mbështjetjen e veprimtarisë së klinikave ligjore me objektin për dhënie të shërbimeve të ndihmës juridike parësore, palë në këtë marrëveshjen me elemente të financimit duhet të dalë Rektoratii UT. Në këto kushte, duhet të parashikohet që në kontratën/marrëveshjen midis klinikave ligjore dhe Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas për financimin nga shteti të dhënies së ndihmës juridike parësore, klinika ligjore të përfaqësohet nga Dekani i Fakultetit dhe Rektori i IAL. Pa kundërshtuar sa më sipër, konsultimi i statutit të IAL përkatës është domodoshmëri për qëllime të kontraktimit në fjalë.         

Klinikat ligjore të ngritura pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) japin ndihmë juridike parësore. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bashkëpunon me klinikat ligjore, sipas kushteve dhe kritereve të parashikuara në marrëveshjet përkatëse të bashkëpunimit për trajnimin dhe përditësimin e njohurive të studentëve të përfshirë pranë këtyre klinikave, mbi çështjet e lidhura me ndihmën juridike parësore. Sipas nenit 16 të Ligjit nr. 111/2017, ofrimi i ndihmës juridike realizohet në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të lidhura ndërmjet klinikave të ligjit dhe Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Kontrata standard për t’u lidhur midis Klinikave ligjore pranë IAL dhe Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas do të orientojë përkatësisht palët.

Për qëllime të leximit dhe zbatimit të nenit 16 të Ligjit nr. 111/2017 mbajmë parasysh përkufizimin përkatës sipas nenit 3 gërma ‘b’ të Ligjit 111/2017 për ndihmën juridike parësore[7] si edhe disa orientime të dhëna në këtë Komentar në lidhje me ndihmën juridike parësore. Ky do të jetë objekti i veprimtarisë së klinikave ligjore në lidhje me ndihmën juridike parësore. Objekti duhet përcaktuar qartë edhe duke iu referuar përkufizimit të ndihmës juridike dytësore në kushtet që neni 3 gërma ‘b’ e Ligjit nr. 111/2017 përfshin edhe pikën e cila parashikon “vi) dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmë juridike dytësore”.

Megjithatë, pa kundërshtuar sa më sipër, për qëllime të kontraktimit të klinikave ligjore me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas, vlen të qartësohet nëse vetë klinikat ligjore kanë personalitet juridik për të kontraktuar drejtprëdrejt me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas me qëllimin për të ofruar shërbimin e ndihmës juridike parësore dhe për të marrë financimet përkatëse nga kjo drejtori; shpjegimet në paragrafet e mësipërm në këtë seksion të Komentarit qartësojnë këtë çështje.

Shembuj të klinikave ligjore në Shqipëri, tashmë janë një realitet i mirë funksional. Klinikat ligjore, janë funksionale qysh para hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 111/2017 për ndihmën juridike të garantuar nga shteti. Disa prej tyre janë vendosur pranë universiteteve. Klinikat nuk janë mbështetur financiarisht nga shteti dhe disa prej tyre tashmë përfaqësojnë një përvojë disa vjeçare funksionimi.  Megjithatë, klinikat e ligjit kanë shënuar rezultate pozitive në drejtim të ofrimit të shërbimeve ligjore falas për qytetarët në nevojë[8]. Deri me sot, klinikat ligjore kanë mbuluar çështje në lidhje me të drejtat e natyrës social-ekonomike, duke shtuar edhe ato të natyrës mjedisore, me impakt në të drejtën për kujdes shëndetësor, si fusha dhe veprimtaria më e gjerë që hulumtohet nga klinikat e ligjit gjatë misionit dhe ushtrimit të veprimtarisë së tyre për dhënie ndihme juridike falas në format e parashikuara nga ligji dhe të emërtuara si shërbime paraligjore, forma këshillimi ose asistencë në institucionet e administratës publike. Por, edhe anketimet dhe raportet përkatëse kanë treguar se nevojat për asistencë i përkasin kategorisë dhe legjislacionit që i përket garantimit të këtyre të drejtave[9]. Keshtu, Klinika e Ligjit pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, është parashikuar si pjesë e kurrikulave universitare përgjatë cikleve të studimit. Klinika e Ligjit është funksionale që nga viti 2011, ndonëse në kohëra të ndryshme, organizimi dhe funksionaliteti i klinikës është përceptuar dhe materializuar në një format ndryshe nga ai që ka sot. Klinika e Ligjit deri në vitin 2016 është mbështetur financiarisht nga OSBE dhe, më pas, nga USAID në kuadër të projektit “JUST”. Kjo klinikë si edhe klinikat ligjore të tjera duhet të mbështeten nga shteti për ofrimin e ndihmës juridike falas sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 111/2017.  Disa nga veçoritë në këtë klinikë janë çështjet e menaxhimit të saj. Me nënshkrimin e marrëveshjes me Drejtorinë për Ndihmën Juridike Falas, klinikat ligjore duhet të kenë pritshmëri lidhur me përfshirjen në më shumë aktivitete, si dhe mbulimin e mëtejshëm financiar, me qëllim vijueshmërinë e veprimtarisë së klinikës në përfitim të kërkuesve të ndihmës juridike.

Fushat priorioritare apo fushat e së drejtës që duhen mbuluar nga klinikat ligjore në ofrimin e ndihmës juridike parësore nuk janë përcaktuar shprehimisht në legjislacionin për ndihmën juridike të miratuar deri në datën e këtij Komentari. Gjithsesi, kjo mund të përcaktohet në kontratën që do të lidhet midis Drejtorisë së Ndihmës Juridike dhe klinikave ligjore përkatëse (shih më sipër mbi kontraktimin midis palëve përkatëse) në rastet kur këto të fundit do të finacohen nga fondet shtetërore. Në rastet kur klinikat ligjore financohen me burime të tjera, fushat që ato mund të mbulojnë mund të orientohen nga kërkesa përkatëse e kërkuesve të ndihmës juridike. Pa kundërshtuar sa më sipër, në lidhje me klinikat ligjore, kur financohen nga fonde publike, orientimi nga kërkesa e kërkuesve të ndihmës juridike duhet të mbizotërojë në punën e këtyre klinikave kur ato financohen nga fonde publike.      

Element i rëndësishëm i nenit 16 pika 2 e Ligjit nr. 111/2017 është trajnimi i studentëve nga Drejtoria e Ndihmës Juridike mbi ndihmën juridike parësore. Trajnimi i veçantë i studentëve duhet parë si domosdoshmëri dhe i lidhur ngushtësisht me parimin e profesionalizmit, cilësisë, efektivitetit dhe efiçiencës në dhënien e ndihmës juridike. Duhet të sigurohet që ndihma juridike parësore të jepet vetëm nga studentët të cilët janë trajnuar sipas trajnimeve të miratuara nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas. Projektimi i trajnimeve[10] të studentëve mbi ndihmën juridike duhet të jetë i veçantë në raport me trajnimin që Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas zhvillon për punonjësit e qendrave të shërbimit të ndihmës juridike në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimit të Administratës Publike.             

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.