Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Paraqitja e kërkesës për ndihmë juridike dytësore dhe organi kompetent për shqyrtimin e saj

Neni: 
20

Kërkesa për ndihmë juridike dytësore paraqitet në gjykatën kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

2.  Kërkesa për ndihmë juridike dytësore e të pandehurit pa mjete të mjaftueshme financiare paraqitet pranë organit procedues që fillon hetimet, sipas nenit 21 të këtij ligji. 

Në gjykatën kompetente që shqyrtohet themeli i çështjes civile, administrative apo penale paraqitet edhe kërkesa për ndihmën juridike dytësore. Në zbatimin në praktikë të ligjit krijon vështirësi “përcaktimi i gjykatës kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel”. Kjo për faktin se në objektin e një kërkesëpadie mund të ketë më shumë sesa një kërkim, për të cilin mund të jenë kompetente për shqyrtimin e saj gjykata të juridiksioneve të ndryshme. Psh në rast kur në objektin e padisë është kërkimi i shpallljes absolutisht të pavlefshme të lejes së legalizimit dhënë për një person të caktuar dhe pastaj kërkimi tjetër është lirimi dhe dorëzimi i sendit tek paditësi prej ati që e posedon sipas lejes së legalizimit. Në rastin e shqyrtimit të pavlefshmërisë së lejes së legalizmit kompetente është gjakata administrative e shkallës së parë, ndërsa në rastin e shqyrtimit të kërkimit për lirim dorëzim sendi kompetente është gjykata civile e vendit ku ndodhet sendi. Gjykimi administrativ zhvillohet i pari dhe pasi vendimi pozitiv për paditësin i gjykatës administrative merr formë të prerë fillon gjykimi I cështjes civile për lirim dhe dorëzim sendi. Në këtë rast personi që plotëson kushtet ligjore për të qënë përfitues i ndihmës juridike dytësore do të kërkojë në fillim ndihmën juridike në gjykatën administrative dhe më pas ajo do të jetë e vlefshme edhe për gjykimin civil? Duke qënë se kohëzgjatja e gjyqeve është e madhe dhe për më tepër kur gjyqi civil fillon pasi vendimi i gjykatës administrative (në rast se është në favor të paditësit) merr formë të prerë, si kontrollohet se personi vijon ende te jetë përfitues i ndihmës juridike dytësore dhe psh nuk është më në kushtet ekonomike dhe ligjore kur duhet ta përfitojë atë? A duhet të marrë përsëri personi të kërkojë ndihmë juridike dytësore për zhvillimin e gjyqit civil, nëpërmjet një procedure ex novo?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk gjenden as në tekstin e ligjit dhe as në tekstin e ndonjë akti nënligjor të nxjerrë në zbatim të tij. Në mungesë të rregullimit të drejpërdrejtë ligjor vlerësojmë se aktet nënligjore mund dhe duhet të parashikojnë zbatimin e parimit bazë, atë që ndihma juridike dytësore jepet me vendim të gjykatës së shkallës së parë dhe ndihma juridike e ndjek personin përfitues edhe në shkallët e tjera të gjykimit. Sigurisht, duke qënë se do të ekzistojë një kohë relativisht e madhe mes shqyrtimit në shkallë të parë dhe shqyrtimit gjyqësor në apel apo Gjykatë të Lartë, akti nënligjor mund të parashikojë që në këtë ndërkohë individi të nënshkruajë peridikisht deklarata/formularë me vlerë zyrtare që gjendja e tij financiare dhe rrethabat në të cilat ka përfituar ndihmën juridike dytësore për të dhe familjen e tij nuk kanë ndryshuar.

Pika 2 e këtij neni përmend shprehjen “Të pandehurit pa mjete të mjaftueshme financiare”. Termi mjete të pamjaftueshme financiare është një term i ri, i cili nuk është përkufizuar në nenin përkatës të përkufizimeve të ligjit. Gjithsesi, edhe në këtë rast, testi i cili duhet të plotësohet nga përfituesi i ndihmës juridike dytësore (I pandehuri) është i njëjtë me atë të parashikuar në nenin 12 të ligjit. I pandehuri duhet të provojë se nuk ka të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për këshillim, përfaqësim dhe/ose mbrojtje në çështjet penale. Të ardhurat e një personi, i cili jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, nëse të ardhurat në total të të gjithë pjesëtarëve të familjes, të pjesëtuara për numrin e anëtarëve të familjes, janë më të ulëta se 50 për qind e pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.  Të ardhurat e një personi, i cili nuk jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi. Pasuria e një personi konsiderohet e pamjaftueshme, nëse vlera e saj në total nuk tejkalon vlerën e 36 pagave minimale mujore sipas legjislacionit në fuqi.

Në zbatim të përcaktimeve që ka bërë Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudenca e zhvilluar prej Gjykatës së Strasburgut, por edhe nga fryma e ligjit “Për mbrojtjen juridike të garantuar nga shteti”, ndihmë juridike dytësore përveç rasteve të shqyrtimit të themelit të çeshtjes nga gjykata, zbatohet edhe në rastet e instituteve te tjera procedurialë të së drejtës civile, administrative apo penale. Pёr shembull, një person që përmbush kushtet e përcaktuara në këtë ligj përfiton nga ndihma juridike dytësore në rastet e paraqitjes së kërkesës për rishikimimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, apo në rastet e kërkesës për rivendosje në afat, apo në rastin e kundërshtimit të veprimeve përmbarimore, etj.

Ndihma juridike dytësore është detyrim të jepet për personat që plotësojnë kushtet ligjore edhe në fazat e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë.  Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr. 9, datë 29.02.2012, është shprehur se: “Gjykata rithekson se veçanërisht në procesin penal, barazia e armëve, kontradiktoriteti dhe, lidhur ngushtë me këto, realizimi i mbrojtjes së të pandehurit, garantuar shprehimisht në nenin 31  të Kushtetutës dhe në nenin 6 të KEDNJ-së, përbëjnë në vetvete elementet më thelbësore të procesit të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues. Këto elemente thelbësorë të procesit të rregullt ligjor duhet të respektohen në të gjitha shkallët e gjykimit, duke përfshirë dhe atë në Gjykatë të Lartë. Në dallim nga procedurat strikte të gjykimit që zhvillohen në gjykatat e zakonshme, gjykimi në Gjykatën e Lartë, ka si veçori paraqitjen vetëm të argumenteve ligjorë. Kompleksiteti i procedurave të gjykimit në Gjykatën e Lartë konfirmohet dhe nga dispozitat që sanksionojnë se palët duhet të përfaqësohen në këtë gjykim nga avokati. Prandaj, shqyrtimi në Gjykatën e Lartë kryesisht të çështjeve të ligjit, jo vetëm që justifikon plotësisht përfaqësimin me avokat në seancën dëgjimore, por për më tepër, bëhet i domosdoshëm për garantimin në favor të të pandehurit të një mbrojtjeje efektive dhe profesionale (shih vendimet nr.28, datë 02.10.2009, nr. 37, datë 24.12.2010 të Gjykatës Kushtetuese).

Gjykata ka theksuar se interesat e drejtësisë kërkojnë detyrimisht realizimin e mbrojtjes, qoftë edhe me avokat të caktuar kryesisht, të të pandehurit që gjykohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mbi bazën e rekursit të paraqitur nga prokurori, në të cilin, ndër të tjera, kërkohet një rëndim i pozitës së tij në krahasim me vendimin e dhënë për këtë çështje nga gjykata e apelit.”

Aktet nënligjore duhet të plotësojnë vakumin që ekziston nëse personi përfitues që ka marrë ndihmë juridike dytësore në shkallën e parë, ka të drejtë të vijojë me ndihmë juridike dytësore dhe me të njëjtin avokat si në gjykatën e apelit apo edhe gjykatën e lartë, apo duhet për çdo nivel gjykate të jepet një vendim i ri për ndihmën juridike dytësore? Në rast se duhet vendim i ri kërkese për ndihmë juridike dytësore ku duhet të paraqitet, përsëri në shkallën e parë apo sipas rastit në Gjykatën e Lartë dhe në gjykatën e apelit ku zhvillohet gjyqi?

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.