Bisedo direkt rreth kesaj çështje

E drejta për të mos parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit

Neni: 
29

Personat, të cilët kanë përfituar ndihmë juridike dytësore, sipas parashikimeve të këtij ligji, gëzojnë të drejtën për të mos parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit pranë shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.

E drejta per proces të rregullt gjyqësor përfshin edhe ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në cështjen Cufaj v Shqipërisë ka theksuar se: “38. Gjykata pohon se neni 6 § 1 i siguron çdokujt të drejtën për t’u ankuar në gjykatë në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij civile; pra në këtë mënyrë mishëron “të drejtën për proces të rregullt”, - ku e drejta për akses- që është e drejta për të filluar një proces gjyqësor për çështje civile- është njëri prej aspekteve të saj. Megjithatë, kjo e drejtë do të ishte iluzionare, nëse një sistem ligjor i brendshëm i një shteti anëtar, do të lejonte që një vendim gjyqësor i formës së prerë, të mbetej joveprues në dëm të një pale. Do të ishte e pakonceptueshme që neni 6 § 1 të përshkruajë në detaje garancitë procedurale të njohura palëve në procesin gjyqësor- procedime që duhet të jenë të ndershme, publike dhe të shpejta- pa mbrojtur ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Interpretimi i nenit 6, si një nen që ka të bëjë ekskluzivisht me të drejtën e aksesit në gjykatë dhe me zhvillimin e procedurave, do të çonte në situata të papajtueshme me parimin e shtetit të së drejtës, të cilin shtetet anëtare u angazhuan për ta respektuar, kur ratifikuan Konventën. Ekzekutimi i një vendimi të dhënë nga një gjykatë duhet të konsiderohet si pjesë përbërëse e “procesit të rregullt” sipas qëllimit të nenit 6. Autoritetet shtetërore nuk mund të përmendin mungesën e fondeve si justifikim për të mos respektuar një detyrim financiar që vjen nga një vendim gjyqësor.” Për këtë arsye duke qënë se shërbimi përmbarimor gjyqësr ka të përcaktura tarifa fikese apo me përqindje mbi vlerën e detyrimit që duhet të paguhen paraprakisht nga gjyqafituesi, neni 29 përcakton se ky i fundit për shkak se ka përfituar ndihmë juridike dytësore përjashtohet nga parapagimi i këtyre tarifave. Përjashtimi nga pagimi i traifës të shërbimit përmbarimor në këtë rast duhet të dokumentohet nga ana e përmbaruesit gjyqësor, sipas procedurave të zakonshme të veprimtarisë së tij.

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.