Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Përfituesit e ndihmës juridike

Neni: 
10

1. Subjekte përfituese të ndihmës juridike janë:

  • shtetasit shqiptarë me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  • shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë të përkohshme ose të përhershme dhe janë të pajisur me leje qëndrimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt;
  • shtetasit e huaj, ose personat pa shtetësi, që hyjnë në mënyrë të rregullt në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që përfitojnë mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë ose bazuar në parimin e reciprocitetit;
  • azilkërkuesit, personat që gëzojnë statusin e refugjatit dhe personat që janë në proces ankimi të vendimeve administrative dhe/ose gjyqësore për refuzimin e aplikimit për azil ose revokimin e vendimit të statusit të refugjatit, sipas legjislacionit në fuqi për azilin në Republikën e Shqipërisë

2. Subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përfitojnë ndihmë juridike, nëse përmbushin kushtet e parashikuara nga ky ligj. 

Së pari, ky nen është në përputhje me dispozitat përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e cila në nenin 16 parashikon se: “1. Të drejtat e liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë për shtetasit shqiptarë vlejnë njëlloj edhe për të huajt e për personat pa shtetësi në territorin e Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur Kushtetuta e lidh në mënyrë të posaçme me shtetësinë shqiptare ushtrimin e të drejtave e të lirive të caktuara”.

Për qëllime të këtij neni, në lidhje me shtetasit shqiptarë si përfitues të ndihmës juridike, kujtojmë që Ligji nr. 8389, datë 5.8.1998 “Për shtetësinë shqiptare” duhet konsultuar në lidhje me përkufizimet se cilët quhen shtetas shqiptar sipas këtij ligji apo edhe për ata që kanë patur shtetësinë shqiptare para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Po kështu, përmbatja e nenit 19 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë mund të shërbejnë për qëllime të skenarëve të veçantë gjatë dhënies së ndihmës juridike “1. Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj. 2. Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj”.

Për qëllime të pikës 1/a të këtij neni, kujtojmë që nenit 12 i Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë parashikon se banimi është vendi ku personi, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo të realizimit të interesave të veta, qëndron zakonisht ose të shumtën e kohës dhe se personi nuk mund të ketë njëkohësisht me shumë se një vendbanim. Më tej, kujtojmë edhe nenin 14 të këtij Kodit Civil i parashikon shprehimisht se vendqëndrimi i personit është vendi ku ai ndodhet për të kryer punë ose detyra të caktuara, për të vazhduar një shkollë ose kurs të caktuar, për t’u mjekuar, për të vuajtur një dënim penal, dhe për raste të tjera të kësaj natyre.

Në lidhje me përfituesit e ndihmës juridike të përcaktuar në nenin 10 pika 1/b, është e rëndësishme të referohemi mbi të gjitha në dispozitat e Ligjit nr.108/2013 “Për të huajt”, i ndryshuar me Ligjin nr.74/2016, datë 14.7.2016. Neni 3 përkufizon se “I huaj” është çdo person, me ose pa shtetësi, i cili, sipas legjislacionit shqiptar, nuk është shtetas shqiptar. Po kështu, ky nen përkufizon se “Person pa shtetësi” është personi, i cili nuk ka shtetësinë e asnjë shteti.

Për qëllime të kuptimit dhe zbatimit të nenit 10 pika 1/b, konsultojmë edhe dispozitat në lidhje me lejet e qëndrimit të përkohëshme dhe të përhershme sipas legjislacionit shqiptar në fuqi. Ligj nr.108/2013 parashikon se ‘Lejeqëndrimi’ është dokumenti i lëshuar nga autoritetet kompetente, i cili autorizon dhe lejon të huajin të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve. Më tej, ky ligj në nenin 37 e vijues parashikon për ‘lejeqendrimi e përkohëshme’: “I huaji pajiset me leje të përkohshme qëndrimi, e cila është e vlefshme për periudhën e përcaktuar në aplikim, por jo më shumë se një vit kur aplikohet përherë të parë, nëse nuk është e përcaktuar ndryshe në këtë ligj apo marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë. I huaji, i pajisur me leje të përkohshme të qëndrimit me afat të paktën 1-vjeçar, quhet banor i përkohshëm në Republikën e Shqipërisë vetëm pasi regjistrohet në zyrat e gjendjes civile të njësisë së qeverisjes vendore, ku ka vendqëndrimin e përkohshëm, si dhe duhet të njoftojë autoritetet përgjegjëse sa herë ndryshon vendqëndrimin, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Procedura dhe formulari i regjistrimit të të huajit në gjendjen civile miratohet me udhëzim të Ministrit të Brendshëm”.

Në lidhje me lejen e qëndrimit të përhershëm, neni 61 e vijues i Ligjit nr. 108/2013 parashikon se “I huaji bën kërkesë për pajisje me leje të përhershme qëndrimi të tipit “C” (Tipi C / Kartë Blu AL-C); Leja e qëndrimit e përhershme, qëndrim jashtë territorit jo më shumë se 12 muaj pa ndërprerje, pranë autoritetit përgjegjës rajonal për kufirin dhe migracionin ku ka vendqëndrimin, 60 ditë para mbarimit të afatit të lejes së qëndrimit në rast se rezulton të jenë përmbushur kushtet si më poshtë: a) ka qëndruar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme si banor në Republikën e Shqipërisë, për të paktën 5 vite nga paraqitja e parë e kërkesës për leje qëndrimi, përjashtuar rastet kur përcaktohet ndryshe në këtë ligj, me marrëveshjen ndërkombëtare të njohur nga Republika e Shqipërisë apo vendim të Këshillit të Ministrave; b) provon se zotëron të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të cilat janë të mjaftueshme dhe garantojnë qëndrueshmëri dhe vazhdimësi për jetesën e tij/saj, si dhe anëtarë vetë familjes së tij/saj, pa pasur nevojë t’i drejtohen sistemit të asistencës sociale; c) provon se ka të mbuluar sigurimin shëndetësor, sipas sistemit të sigurimit shëndetësor për shtetasit shqiptarë në Republikën e Shqipërisë; ç) ka të garantuar strehim të përshtatshëm për vete dhe anëtarët e familjes së tij në Republikën e Shqipërisë; d) provon se ka paguar rregullisht të gjitha taksat dhe detyrimet në Republikën e Shqipërisë gjatë kohës së qëndrimit; dh) gëzon statusin ligjor të refugjatit në Republikën e Shqipërisë, të fituar në përputhje me legjislacionin në fuqi për azilin.”

Është përkatëse të kujtojmë që në çështjen Biba kundër Greqisë, GJEDNJ në vendimin përkatës shkruan se GJEDNJ ka konstatuar shkelje të Konventës kur shteti përkatës nuk i ka ofruar ndihmë juridike një të huaji dhe një emigranti, në kushtet kur të dy këta kërkues kishin mungesë të të ardhurave.

Më tej, e rëndësishme për efekte të kategorisë së përcaktuar në nenin 10 pika 1/b është që të merren në vlerësim edhe dispozitat e nenit 22, 44, 71 të Ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt” dhe të legjislacionit për nxitjen e punësimit[1] në të cilat parashikohen edhe disa devijime përkatëse nga rregullat e përgjithshme të parashikuara në Ligjin “Për të Huajt”, që kanë të bëjnë me përjashtimet nga leja e qëndrimit, llojet e veçanta të lejeve të qëndrimit, etj.

Në lidhje me përfituesit e ndihmës juridike të përcaktuar nënenin 10 pika 1/c, është e rëndësishme të referohemi në marrëveshjet përkatëse bilaterale apo multilaterale të bashkëpunimit reciprok apo të investimeve, ku parashikohen edhe përjashtime nga marrja e lejeve të përkohëshme apo të përhershme të qëndrimit sipas Ligjit “Për të huajt”, apo ku parashikohen edhe derogime të tjera.

Në lidhje me përfituesit e ndihmës juridike të përcaktuar në nenin 10 pika 1/d, duhet të referohemi edhe në dispozitat e Ligjit nr.121/2014 ”Për azilkërkuesit në Republikën e Shqipërisë”. Neni 3 përcakton si “azilkërkues”  çdo të huaj apo persona pa shtetësi, që shprehin në çfarëdolloj mënyre se nuk dëshirojnë të kthehen në vendin e tij/saj, si dhe çdo i/e huaj apo person pa shtetësi që ka paraqitur një aplikim për azil në Republikën e Shqipërisë, për të cilin nuk është marrë ende një vendim përfundimtar. Pika 1/d e këtij neni duhet lexuar për të drejtën që kanë për ndihmë juridike edhe personat që janë në proces ankimi të vendimeve administrative dhe/ose gjyqësore për refuzimin e aplikimit për azil ose revokimin e vendimit të statusit të refugjatit, sipas legjislacionit në fuqi për azilin në Republikën e Shqipërisë.

E rendësishme për të marrë parasysh për efekte të kategorive të përfituesve të ndihmës juridike është edhe parimi i mosdiskriminimit i përcaktuar në Kushtetutën e Shqipërisë, etj. Gjejmë me vend të kujtojmë që Direktiva 2002/8/EC, në nenin 4 ‘Mosdiskriminimi’ parashikon se “Shtetet Anëtare do të japin ndihmë juridike pa diskriminim në Qytetarët e Unionit dhe shtetasit e vendeve të treta që banojnë në mënyrë të ligjshme në një shtet anëtar”.

Në pikën 2 të nenit 10, parashikohet shprehimisht se subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përfitojnë ndihmë juridike, nëse përmbushin kushtet e parashikuara nga ky ligj. Kjo dispozitë të orienton që gjatë zbatimit të ligjit të mbahet në vëmendje që e drejta e subjekteve të parashikuara në pikën 1 të nenit 10 duhet të testohet me kriteret e përzgjedhmërisë, etj., të parashikuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore përkatëse.  

Në lidhje me provueshmërinë e faktit që personi aplikant për ndihmë juridike plotëson kushtet përkatëse (shih më sipër kushtet dhe kërkesat për përfituesit e ndihmës ligjore sipas këtij neni), kërkesa e ofruesit të ndihmës juridike për aktet përkatëse administrative, vendimet gjyqësore, dhe dokumentet e tjera përkatëse, legjitimohen nga nevoja për të provuar përmbushjen e kërkesave dhe kritereve ligjore të përzgjeshmërisë, krahas plotësimit të formularëve, etj., përkatës.