Procedura e dhënies së ndihmës juridike dytësore të pandehurit pa mjete të mjaftueshme financiare
Në rast se kërkesa për ndihmë juridike dytësore paraqitet nga i pandehuri pa mjete të mjaftueshme financiare, organi procedues që fillon hetimet shqyrton menjëherë nëse përmbushen kriteret e përcaktuara në nenin 12 të këtij ligji.
Nëse organi procedues që fillon hetimet vlerëson se kriteret janë përmbushur, cakton menjëherë një avokat mbrojtës nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe njofton menjëherë personin, të cilit i ofrohet ndihmë juridike dytësore, si dhe avokatin e caktuar mbrojtës.
Vendimi për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore jepet i arsyetuar dhe i njoftohet kërkuesit dhe Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.
Kërkuesi mund ta kundërshtojë vendimin e organit procedues për rrëzimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, me padi në gjykatën penale të shkallës së parë, kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel, brenda 5 ditëve nga marrja dijeni për këtë vendim.
Gjykata shqyrton çështjen me një gjyqtar, sipas rregullave të parashikuara në legjislacionin procedural, brenda 15 ditëve nga regjistrimi i çështjes. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 5 ditëve nga marrja dijeni. Gjykata e apelit e shqyrton ankimin në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga data e marrjes së akteve.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton rregullat dhe procedurat që ndiqen nga organi procedues që fillon hetimet, për caktimin mbi bazë të parimit të rotacionit të avokatit mbrojtës dhe zëvendësimin e tij nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në procesin penal.
7. Rregulla të hollësishme që lidhen me garantimin e mbrojtjes së detyrueshme nga institucionet e parashikuara në këtë ligj, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale, miratohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Neni 21 i ligjit “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” përcakton procedurën e dhënies së ndihmës juridike dytësore. Dhënia e ndihmës juridike dytësore nga organi procedues sipas këtij neni, duhet të paraqitet nga i pandehuri, dhe siç e kemi theksuar në komente e neneve të tjera kufizimi i dhënies së ndihmës juridike vetëm nga personi që ka statusin e të pandehurit është në shkelje të nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Dhënia e ndihmës juridike dytësore mund dhe duhet t’u jepet edhe personave të tjerë që nuk e kanë këtë status juridik, pra që janë të përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë një pozitë proceduriale sipas Kodit të Procedurës Penale, duke filluar që nga momenti shoqërimit të detyrueshëm,ndalimit, personit nën hetim etj.
Vakumin e konstatuar në këtë nen dhe në nenet e tjera të këtij ligji për personat që nuk kanë cilësimin juridik si i pandehur, duhet të plotësohen me aktet nënligjore që duhet te nxirren në bazë dhe për zbatim të këtij ligji. Në një rast të tillë aktet nënligjore duhet të referojnë drejtpërdrejtë në parimet dhe modalitetet e përcaktuara në jurisprudencën e zhvilluar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Gjyqtari dhe prokurori duhet të vendosin për ndihmën juridike dytësore, vetëm pasi të jetë plotësuar i gjithe dokumentacioni i kërkuar nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij prej kërkuesit të kësaj ndihme. Plotësimi i formularëve përkatës për këtë ndihmë dhe vendimmarrja në lidhje me to duhet të jetë pjesë e dosjes përkatëse gjyqësore ose hetimore.
Neni 49 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se:
“2. Nëse ekzistojnë arsyet për mbrojtje të detyrueshme, sipas këtij neni, organi procedues i cakton menjëherë një mbrojtës të pandehurit. Mbrojtësi ndihmon të pandehurin në të gjitha fazat e procedimit, për aq kohë sa ekzistojnë kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
3. Mbrojtësi i caktuar, sipas këtij neni, zgjidhet nga organi procedues nga lista e vënë në dispozicion nga Dhoma e Avokatisë.
4. Gjykata, prokurori dhe policia gjyqësore, kur duhet të kryejnë një veprim për të cilin parashikohet ndihma e mbrojtësit dhe kur i pandehuri është pa mbrojtës, njoftojnë për këtë veprim mbrojtësin e caktuar.
6. Mbrojtësi i caktuar mund të zëvendësohet vetëm për shkaqe të përligjura. Ai i pushon funksionet kur i pandehuri zgjedh mbrojtësin e tij.
7. Kur mbrojtja nuk mund të sigurohet sipas kësaj dispozite dhe pikës 3, të nenit 49, mbrojtja garantohet nga institucionet që administrojnë ndihmën juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi.”
Nga krahasimi i këtyre dy dispozitave, të cilat janë miratuar në kohë të ndryshme me njëra tjetrën, vërehet se ato nuk janë të hamonizuara. Kontradiktat mes këtyre dy neneve nuk ka arritur t’i zgjidhë as edhe vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nr. 231, datë 12.11.2019 “Për miratimin e Rregullores për rregullat e garantimit të mbrojtjes së detyrushme dhe caktimin mbi bazën e parimit të rotacionit të avokatit mbrojtës nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmes juridike dytësore në procesin penal.”
Pika 3 e nenit 49 të Kodit të Procedurës Penale përcakton se lista e avokatëve mbrojtës duhet të vihet në dispozicion nga Dhoma e Avokatisë dhe nëse kjo gjë nuk është e mundur atëherë mbrojta sigurohet nga avokatët që ushtrojnë ndihmën juridike dytësore në procesin penal. Pra, rezulton se sipas nenit 49 të KPP ka dy lista avokatësh për mbrojtjen e detyrueshme dhe mbrojtjen juridike dytësore, ndërkohë që ligji për ndihmën juridike në lidhje me këtë fazë të procedimit penal bën fjalë vetëm për një listë të avokatëve që ushtrojnë mbrojtjen ligjore falas. Një gjë e tillë bëhet e qartë edhe nga formulimi i ndryshëm që ka pika 6 e këtij neni me pikën 7 të tij, që përcakton se KLP duhet të miratojë dy akte nënligjore në zbatim të këtij neni.
Nga ana tjetër, në këtë nen, përdoret shprehja “Nëse organi procedues që fillon hetimet vlerëson se kriteret janë përmbushur,..”, ndërkohë që pika 25 e vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë thekson se “Organi procedues i vë në dispozicion të ndaluarit/të arrestuarit/të pandehurit për të plotësuar një formular sipas formatit të miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ku duhet të deklarojë gjendjen ekonomike dhe të shprehë vullnetin se kërkon të mbrohet me një avokat të caktuar nga shteti.” Dispozita ligjore përdor fjalën “vlerëson” pra një proces analize mbi bazen e të cilave duhet të marrë vendim organi procedues, ndërsa akti nënligjor i Këshillit të Lartë të Prokurosë e anashkalon vlerësimin, sepse merr të mirëqënë me fuqi të plotë juridike nënshkrimin e formularit përkatës të miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas. Është e kuptueshme që ky formular duhet të jetë me një natyrë të ndryshme nga ai i zakonshmi dhe posaçërisht vetëm për këta persona sepse ata, në gjendjen ku janë, e kanë të pamundur të marrin dokumenta dhe/ose të vërtetojnë gjendjen e tyre ekonomike që i pamundëson mbrojtje me avokatin që dëshirojnë të kenë me zgjedhjen e tyre të lirë.
Pika 4 e këtij neni po ashtu rezulton se mund të jetë problematike gjatë zbatimit të saj në praktikë. Sipas kësaj pike “Kërkuesi mund ta kundërshtojë vendimin e organit procedues për rrëzimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, me padi në gjykatën penale të shkallës së parë...” Kërkuesi në këtë rast psh mund të jetë në kushtet e masës së arrestit në burg (por edhe nese ai është në gjendje të lirë) ankimi i një vendimi gjyqësor është një element i cili në aftësitë e tij ai e ka të pamundur që ta hartojë për shkak të gjendjes/situatës në të cilën ndodhet. Pra, akti nënligjor duhet të ketë edhe zgjidhjen në rast se një person psh që është në paraburgim dhe nuk ka mjete financiare të mjaftueshme për të marrë mbrojtës ligjor, duhet të hartojë një kërkesë ankimore në gjykatën e apelit ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë me të cilin i është refuzuar kërkesa për të përfituar ndihmën juridike dytësore. Një zgjidhje mund të jetë që avokati që ka ndihmuar personin në hartimin e kërkesës duhet të ketë detyrimin të ndihmojë atë edhe në rastin e hartimit të kërkesës ankimore në gjykatën e apelit ose evntualisht Gjykatat duhet të kenë dhe përdorin formularë sa më të thjeshtë dhe të kuptueshëm për të mundësuar që ankimi të hartohet nga vetë personi.