Përfituesit
Personat, të cilët kanë të drejtën për të marrë ndihmë juridike dytësore, sipas neneve 11 ose 12, të këtij ligji, gëzojnë të drejtën për përjashtim nga:
a) pagimi i tarifave të përgjithshme dhe të veçanta, sipas përcaktimeve të ligjit për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë;
b) pagimi i shpenzimeve gjyqësore (shpenzimet për dëshmitarët, ekspertët, përkthyesit dhe për këqyrjen e sendeve ose këqyrjen në vend), sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural;
c) detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit pranë shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.
Gjykata Kushtetuese në shqyrtimin e çështjes së përjashtimit nga pagimi i tarifave gjyqësore ka theksuar me vendimin nr. 7, datë 27.02.2013 se: “26. Çdo individ që i drejtohet me padi gjykatës, është i detyruar të parapaguajë taksën mbi aktet (ose “tarifën për shërbime gjyqësore”, sipas udhëzimit nr. 13/2009, supra), e cila caktohet mbi bazën e vlerës së padisë. Megjithatë, Gjykata vlerëson se, në vështrim të neneve të sipërcituara të KPC-së, gjyqtari i zakonshëm nuk pengohet të hetojë dhe të përjashtojë paditësin nga pagesa e kësaj tarife, në rastet kur ndodhet përpara pamundësisë financiare të tij për të bërë këtë pagesë. Gjyqtari i zakonshëm ka hapësirë për të vlerësuar plotësimin e këtij kriteri procedural për ngritjen e padisë dhe për të bërë përjashtimet rast pas rasti, në mënyrë që të mos pengojë realizimin e të drejtës së aksesit në gjykatë. Sipas dispozitave procedurale civile, në rastet e përjashtimit të individit nga pagimi i shpenzimeve gjyqësore, ku përfshihet edhe taksa mbi aktet, këto shpenzime përballohen nga fondi përkatës i parashikuar në Buxhetin e Shtetit (neni 105/b). Nga ana tjetër, ligji nr. 10 039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”, ka përcaktuar një organ shtetëror kolegjial, Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike, detyra kryesore e të cilit është t’u ofrojë ndihmë juridike kategorive të caktuara të individëve, duke kryer shpenzimet përkatëse (nenet 10 dhe 14 të ligjit).
27. Nëpërmjet interpretimit sistematik të dispozitave të mësipërme të KPC-së si dhe analogjisë me ligjin nr. 10 039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike” (përkatësisht nenet 2,10,13,14), arrihet qartësisht në përfundimin se qëllimi i këtij kuadri ligjor është të garantojë aksesin në gjykatë për të gjithë individët që i drejtohen gjykatës. Në funksion të këtij garantimi, si dhe të frymës që ligjvënësi ka dashur të përçojë në këtë kontekst ligjor, Gjykata thekson se i takon gjyqtarit të hetojë, mbi bazën e dokumentacionit provues të pamundësisë ekonomike të paraqitur nga paditësi, dhe të vlerësojë, duke iu referuar legjislacionit procedural civil dhe rregullimeve ligjore përkatëse, nëse është rasti për përjashtimin e paditësit nga pagesa e tarifës për shërbime gjyqësore.”
Në cështjen Kreuz v Polonisë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka theksuar se: “60. Prandaj, Gjykata vlerëson se kërkesa për pagimin e tarifave në gjykatat civile në lidhje me pretendimet për të cilat atyre u kërkohet të vendosin, nuk mund konsiderohet si kufizim i së drejtës së aksesit në gjykatë në vetvevte dhe që është i papajtueshëm me nenin 6 § 1 të Konventës. Ajo rihekson megjithatë, se shuma e tarifave të vlerësuara në dritën e rrethanat e veçanta të një çështje të caktuar, përfshirë aftësinë e kërkuesit që t'i paguaj ato, dhe fazën e procedurave në të cilat ky kufizim i është imponuar, janë faktorë të cilët janë thelbësorë në përcaktimin nëse personi gëzonte të drejtën e aksesit dhe kishte një të drejtë “për t’u degjuar nga [një] gjykatë" (shiko Tolstoy-Miloslavsky, cituar më lart, dhe Aït-Mouhoub, cituar më lart, f. 80-81...,).
Në një çështje tjetër domethënëse Weisman dhe të tjerët kundёr Rumanisë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka theksuar se: “38. Në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se mos pagimi i 323.264 eurove për shkak të detyrimit të pagesës së pullës për ngritjen e procedurës rezultoi në anulimin e veprimit.
39. Më tej Gjykata vëren se shuma në fjalë, e cila është padyshim shumë e lartë për çdo paditës të zakonshëm, nuk është e justifikuar as nga rrethanat e veçanta të çështjes, as nga pozicioni financiar i aplikantëve dhe është llogaritur në bazë të një përqindje të caktuar, të përcaktuar nga ligji, të shumës në fjalë në procedurë. Edhe pse shuma e pretenduar nga aplikantët në lidhje me humbjen e fitimeve që rrjedhin nga të ardhurat nga qiraja e marrë nga Shteti është si e konsiderueshme, Gjykata konsideron, për shkak të vlerës së pasurisë, se nuk është e paarsyeshme ose me themel.
40. Në të kundërt, Gjykata vlerëson se shuma e pretenduar nga ankuesit për të paraqitur veprimin e tyre është e tepërt. Si rezultat, ata në mënyrë implicite ishin të detyruar të braktisin veprimin, duke i privuar ata nga e drejta që çështja e tyre të dëgjohej nga një gjykatë.
41. Për sa i përket opsionit që aplikantët të aplikojnë për përjashtim nga detyrimi i pagesës sё pullës, Gjykata vëren se argumenti i qeverisë, bazuar në mosveprimin e pretenduar të aplikantëve, është i ngjashëm me një kundërshtim që ata nuk arritën të shterojnë mjetet e brendshme. Gjykata vëren se një kundërshtim i ngjashëm është hedhur poshtë në fazën e shqyrtimit të pranueshmërisë së kërkesës. Sidoqoftë, Gjykata vëren se Qeveria nuk ka paraqitur asnjë çështje gjyqësore nga gjykatat vendase që do të demonstronte efektivitetin e një kërkese të tillë, në kuptimin e nenit 35 § 1 të Konventës.
42. Duke pasur parasysh rrethanat e çështjes, dhe veçanërisht për faktin se ky kufizim i imponuar në një fazë fillestare të procedurës, Gjykata konsideron se është joproporcionale dhe kështu dëmtoi vetë thelbin e së drejtës e aksesit në gjykatë (shiko, mutatis mutandis, TeltronicCATV kundër Polonisë, nr. 48140/99, 10 janar 2006).
43. Prandaj, Gjykata konkludon se Shteti nuk arriti të sigurojë një ekuilibër të drejtë, nga nga njëra anë, interesin e tij për të rikuperuar kostot e procedurave dhe, nga ana tjetër, interesin e aplikantëve për shqyrtimin e kërkesave të tyre nga gjykatat.
44. Rrjedhimisht, ka pasur një shkelje të nenit 6 1 të Konventës.”