Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Detyrimet e palës gjyqhumbëse në çështjet civile ose administrative

Neni: 
30

Kur pala që është përjashtuar nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas parashikimeve të këtij ligji, fiton me vendim gjyqësor të formës së prerë çështjen, për të cilën është dhënë ndihma juridike dytësore dhe/ose përjashtimi nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, pala tjetër gjyqhumbëse, së cilës i ngarkohen pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas vendimit gjyqësor, detyrohet të kalojë këtë shumë menjëherë për llogari të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.

2.  Në rast se vendimi nuk ekzekutohet vullnetarisht, me kërkesë të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, shërbimi përmbarimor gjyqësor fillon procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, sipas legjislacionit në fuqi.

Kreu VII i dedikohet çështjes së rimburisimit të tarifave, shpenzimeve gjyqësore dhe të përfaqësimit që janë bërë në favor të përfituesit të ndihmës juridike dytësore. Ndihma juridike dytësore në një mënyrë mund të konsiderohet si “huadhënie” nga ana e shtetit për individët që kanë nevojë ta përfitojnë atë dhe që përmbushin kriteret e përcaktuara në ligj. Në rast se përfituesi i ndihmës juridike del gjyqfitues në përfundim të procesit gjyqësor atëherë çdo shpenzim i buxhetit të shtetit i harxhuar për të duhet të rikthehet në buxhetin e shtetit sepse atë e paguan pala gjyqhumbëse.

Përcaktimet e bëra në këtë nen janë të rëndësishme për gjyqtarët. Kjo për shkak se në një pjesë të veçantë të vendimit gjyqësor gjyqtarit i duhet të shprehet qarrtë se në rast se përfituesi i ndihmës juridike është gjyqfitues, duhet të përcaktojë konkretisht cilat shpenzimet apo tarifat gjyqësore dhe shuma e ndihmës të përfaqësimit në gjyq, të cilat duhet t’i ngarkohen për t’u paguar prej palës gjyqhumbëse.

Po ashtu është me rëndësi të theksohet se në vendimin e gjykatës duhet të urdhërohet si një paragraf i vecantë edhe kalimi i këtyre të hollave të llogaritura të paguhen prej gjyqhumbësit tek llogaria e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Është e kuptueshme që ky vendim gjyqësor, pavarësisht se ka marrë formë të prerë ose jo, duhet t’i njoftohet Drejtorisë së Ndihmës Juridike. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë e ka të nevojshme njoftimin për shkak të zbatimit të paragrafit të dytë të këtij neni, me qëllim që të bëjë të ekzekutueshëm vendimin gjyqësor nëpërmjet shërbimit përmbarimor.

Në këtë rast Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas është e përjashtuar nga pagimi i tarifave përkatëse për shërbimin përmbarimor gjyqësor.