Rastet e kthimit të përfitimeve
Në rast se një person, të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, i kanë ndryshuar rrethanat në një mënyrë të tillë që nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë subjekt përfitues i ndihmës juridike dytësore, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas i njofton përfituesit të ndihmës juridike detyrimin për kthimin vullnetar të shpenzimeve të kryera, shumën konkrete dhe afatin për përmbushjen e këtij detyrimi. Procedura, periodiciteti dhe rregullat e verifikimit të ndryshimit të rrethanave përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Drejtësisë.
2. Në rast të mosekzekutimit vullnetar të detyrimit për kthimin e shpenzimeve brenda afatit të caktuar, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas paraqet kërkesëpadi në gjykatë, duke kërkuar kthimin e shumës në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Parashikimet e pikave 1 dhe 2, të këtij neni, do të zbatohen dhe në rastin kur personi, të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimi nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore ose avokati i caktuar:
nuk e ka paraqitur kërkesëpadinë në gjykatë, pas kalimit të një afati tremujor nga data kur vendimi i gjykatës për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore ka marrë formë të prerë;
ka hequr dorë nga gjykimi i padisë, nga e drejta e padisë, nga ankimi dhe rekursi apo nga ekzekutimi i urdhrit të ekzekutimit.
Neni 31 i ligjit parashikon kthimin e përfitimeve të personit të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, në dy raste:
a) perfituesit i kanë ndryshuar rrethanat ekonomike dhe për pasojë nuk plotëson më kërkesat për të qënë përfitues i ndihmës juridike dytësore;
b) pavarësisht se ka bërë kërkesën dhe ka përfituar ndihmën juridike dytësore, para paraqitjes së kërkesëpadisë, nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda 3 muajve kur vendimi përkatës i gjykatës ka marrë formë të prerë, ose në fazën e gjykimit ka hequr dorë nga gjykimi i padisë, ankimi, rekursi ose ekzekutimi i vendimit të gjykatës.
Pavarësisht se ky nen paraqet vetëm përfituesin e ndihmës juridike në rolin e tij si paditës, të njëjtat rrethana dhe kushte janë të zbatueshme edhe në rastin kur përfituesi i ndihmës juridike është i paditur në një proces gjyqësor.
Ky nen parashikon nxjerrjen e një akti nënligjor të rëndësishëm dhe më konkretisht aktin që do të përcaktojë procedurat, periodicitetin dhe rregullat e verifikimit të ndryshimit të rrethanave. Akti nënligjor i sipërcituar miratohet nga Ministri i Drejtësisë dhe i jep “jetë” zbatimit në praktikë të këtij neni.
Zbatimi përcaktimeve të bëra në këtë nen përbëjnë një sfidë të vërtetë për Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas. Për të zbatuar drejt dhe në mënyrë të shpejtë kërkesat e përcaktuara në këtë nen, kjo Drejtori e ka të domosdoshme pasjen në kohë të informacionit real për çdo përfitues të ndihmës juridike dytësore. Suksesi i zbatimit të kësaj dispozite do të varet plotësisht nga marrja e këtij informacioni dhe për pasojë edhe vendimarrja përkatëse në bazë të tij. Një rol të rëndësishëm në këtë aspekt të paktën për veprimtarinë gjyqësore vlerësojmë se duhet të luajnë kancelarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apelit, të cilët, sipas hierarkisë juridike dhe marrdhënieve me Ministrinë e Drejtësisë duhet të informojnë këtë Drejtori me Informacionin e poseduar nga gjykatat. Nga ana tjetër, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas është e nevojshme të ketë edhe akses në një sërë regjistrash publikë (psh kadastër, mjetet e transportit, etj.) në mënyrë që të ketë mundësi të verifikojë gjendjen financiare dhe ekonomike të përfituesve të ndihmës juridike dhe mosndryshimit të saj gjatë shqyrtimit të çështjes së tyre në gjykatë.