Detyrim Ushqimor

Familjare

Detyrimi ushqimor është ai detyrim ligjor në bazë të të cilit një ose disa anëtarë të familjes të cilët janë të paaftë për punë dhe nuk kanë mjete të mjaftueshme për të jetuar, anë të drejtën t’u paguhet një detyrim ushqimor nga anëtarët e tjerë të familjes. ( neni 198 i KF).

Shprehja “detyrim ushqimor” nënkupton gjithçka që është e nevojshme për të plotësuar nevojat materiale dhe kulturore të jetesës, ku përfshihen ushqimi, veshja, banimi, drita, uji, shpenzime për arsimimin, shpenzime të veçanta (spitalore, etj.)

Detyrim për ushqim kanë:

  • bashkëshorti ndaj bashkëshortit tjetër dhe fëmijët ndaj prindit të tyre;
  • Prindërit ndaj fëmijëve të tyre. Legjislacioni në këtë rast nuk bën ndonjë dallim ndërmjet fëmijëve të ligjshëm dhe atyre të lindur jashtë martese, kur është pranuar atësia dhe amësia e tyre;
  • të paslindurit ndaj të paralindurve, që nuk janë prindër (p.sh. nipërit dhe mbesat ndaj gjyshërve);
  • të paralindurit ndaj të paslindurve të tyre, që nuk janë fëmijët e tyre (p.sh. gjyshërit ndaj nipërve dhe mbesave);
  • vëllezërit dhe motrat ndaj vëllezërve dhe motrave të tyre;
  • kanë detyrim për ushqim dhe njerku e njerka ndaj thjeshtërve të tyre të mitur, përveç rasteve kur këta kanë persona që janë të detyruar dhe në gjendje t’i ushqejnë;
  • gjithashtu edhe thjeshtërit detyrohen të ushqejnë njerkun dhe njerkën e tyre, kur këta i kanë ushqyer për një kohë të gjatë dhe janë kujdesur për ta në mituri jo më pak se dhjetë vjet. Në këtë rast thjeshtërit ngarkohen me detyrimin ushqimor njëlloj si ndaj prindërve të tyre.

 

Kusht kryesor për plotësimin e detyrimit ushqimor është që personi i detyruar dhe ai që përfiton t’i përkasin të njëjtës familje në kuptimin e gjerë të fjalës. Megjithatë, edhe marrëdhëniet jo familjare në disa raste përbëjnë kusht për detyrim ushqimor, si p.sh. marrëdhëniet e ish-bashkëshortëve pas zgjidhjes se martesës së tyre. Detyrimi për ushqim është detyrim pa kundërshpërblim, pra përfituesi nuk duhet të bëjë apo japë ndonjë gjë si kundërshpërblim.

Kur personat e detyruar për dhënien e ushqimit nuk janë në gjendje që ta japin këtë, detyrimi u kalon tërësisht ose pjesërisht personave në radhë të mëpasme.E drejta për ushqim nuk mund të tjetërsohet, pra nuk mund t’i kalojë personave të tjerë, p.sh. ajo nuk mund t’u kalojë trashëgimtarëve me pasurinë trashëgimore. Gjithashtu, e drejta për ushqim nuk mund të sekuestrohet, si dhe nuk mund të kompensohet, pasi në detyrimin për ushqim përfshihen vetëm mjetet e domosdoshme për jetesë.

Detyrimi ushqimor pas zgjidhjes së martesës.

Ky është një ndër detyrimet kryesore të çdo prindi ndaj fëmijës së tij që duhet të përmbushet edhe pas zgjidhjes së martesës. Në caktimin e ndihmës për ushqimin e fëmijëve nga prindërit e tyre, gjykatat mban parasysh nevojat për rritjen dhe edukimin e fëmijëve si dhe gjendjen ekonomike të prindit që është i detyruar ta përmbushë detyrimin.

Shuma për detyrimin ushqimor nuk është përcaktuar fikse, por është lënë në vlerësimin e gjykatës, duke patur parasysh nevojat e ndryshme të njerëzve. Detyrimi i prindërve të ushqejnë fëmijët e tyre shtrihet në radhë të parë mbi fëmijët e mitur që nuk kanë mjete të mjaftueshme për të jetuar pavarësisht nga aftësia e tyre për punë. Megjithatë, sipas dispozitave të Kodit të Familjes detyrimi ushqimor i prindërve vazhdon edhe ndaj fëmijëve madhorë që ndjekin shkollat e mesme ose të larta me shkëputje nga puna deri në 25 vjeç. Prindërit nuk shkarkohen nga detyrimi i tyre për të ushqyer fëmijët e tyre edhe sikur t’i hiqet e drejta prindërore.

Kusht kryesor për plotësimin e detyrimit ushqimor është që personi i detyruar dhe ai që përfiton t’i përkasin të njëjtës familje. Megjithatë, ekziston dhe një  raste ku edhe pse personat nuk bëjnë pjesë në të njëjtën familje mes tyre mund të lindë detyrimi për ushqim si p.sh. detyrimi për ushqim i ish-bashkëshortëve pas zgjidhjes se martesës së tyre.

Kodi i Familjes parashikon se kur martesa është zgjidhur, bashkëshorti që është i paaftë për punë dhe që nuk ka mjete të mjaftueshme për të jetuar ka të drejtë të kërkojë detyrimin ushqimor nga bashkëshorti tjetër. Ky detyrimi ushqimor jepet për një periudhë kohe deri në 3 vjet pas zgjidhjes se martesës. E drejta e bashkëshortit nevojtar për t’u mbajtur me ushqim mund të pushojë përpara afatit në këto raste:

  • kur lidh një martesë të re, ose bëhet i aftë për punë;
  • kur nuk është më nevojtar sepse siguron mjete të mjaftueshme për të jetuar;
  • kur gjykata, duke marrë parasysh rrethanat, çmon se nuk është i denjë për të përfituar nga kjo e drejtë.

Si rrethana që e bëjnë të padenjë ish-bashkëshortin për të përfituar nga kjo e drejtë mund të jenë: përhapja e fjalëve poshtëruese ndaj ish-bashkëshortit, provokimi i skandaleve ndaj tij, fyerja publikisht, etj. Në këto raste heqja e detyrimit ushqimor para afatit të caktuar duhet të bëhet me vendim gjyqësor, pasi është gjykata organi kompetent që duhet të vlerësojë nëse janë vërtetuar kushtet e padenjësisë.

Detyrimi i ushqimit pushon me vdekjen e personit të detyruar edhe në rastet kur ka një vendim gjyqësor të formës së prerë që nuk është ekzekutuar.