Heqja e Përgjegjësisë Prindërore
Neni 228 i Kodit të Familjes parashikon se "Kur prindi shpërdoron përgjegjësinë prindërore ose tregon pakujdesi të rëndë në ushtrimin e saj, ose me veprimet e tij ndikon në mënyrë të dëmshme në edukimin e fëmijëve, me kërkesën e prindit tjetër, të të afërmve të fëmijës ose prokurorit, mund t'i hiqet përgjegjësia prindërore. Heqja e përgjegjësisë prindërore bëhet me vendim të gjykatës, duke u thirrur si i paditur prindi, për të cilin kërkohet kjo heqje."
Pra, heqja e përgjegjësisë prindërore renditet ndër sanksionet më të rënda të parashikuar nga kodi i familjes për prindin që gjatë ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, dëmton interesin e fëmijës. Heqja e përgjegjësisë prindërore është kompetencë e gjykatës, organ që vihet në lëvizje, sipas nenit 228, me kërkesë të njërit prind; të afërmve të fëmijës; ose prokurorit.
Shkaqet që mund të çojnë gjykatën në heqjen e përgjegjësisë prindërore janë:
- shpërdorimi i përgjegjësisë prindërore nga ana e prindit,
- prindi tregon pakujdesi të rëndë gjatë kryerjes së veprimeve në lidhje me ushtrimin e kësaj përgjegjësie,
- me veprimet që kryen prindi ndikon në mënyrë të dëmshme në edukimin e fëmijës.
Kur vendimi për heqjen e përgjegjësisë prindërore jepet kundër njërit prej prindërve të fëmijës, përgjegjësia prindërore ushtrohet nga prindi tjetër, ndërsa kur ajo u hiqet të dy prindërve, fëmija vendoset në kujdestari. Nëse gjykata pranon padinë me objekt heqjen e përgjegjësisë prindërore, efekti kryesor i këtij vendimi është përfundimi i përgjegjësisë prindërore. Rrjedhimisht, duke mos gëzuar më cilësinë e titullarit të përgjegjësisë prindërore, ky prind nuk mund të ushtrojë për të ardhmen, të drejtat e detyrimet që lidhen me fëmijën.
Por përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm, dispozitat ligjore parashikojnë vazhdimësinë e detyrimit për ushqim të prindit ndaj fëmijës edhe pse përgjegjësia prindërore është hequr me vendim të formës së prerë.( neni 196/2 i KF).
Gjithashtu, nga paragrafi i dytë i nenit 229, rezulton që, si rrjedhojë e heqjes të përgjegjësisë prindërore, prindi humbet edhe të drejtën për të përfituar ndihmë materiale nga fëmija e tij.
Heqja e përgjegjësisë prindërore zgjat për aq kohë sa ekzistojnë motivet të cilat kanë detyruar marrjen e këtij sanksioni.