Kujdestari për fëmijët

Familjare

Me kujdestari do të kuptojmë institutin ligjor, i cili i garanton marrjen në mbrojtje, në kujdes dhe në përgjegjësi nga kujdestari të një personi të mitur, apo të një madhori, të cilët për shkaqe të ndryshme ka mbetur pa kujdes prindëror apo janë shpallur si të pazotë për të vepruar plotësisht apo pjesërisht. Kujdestari duhet që nga ana e tij të jetë një person madhor, i cili gëzon zotësi për të vepruar..

Në Kodin e Familjes, në nenin 263, përcaktohet se fëmijët e mitur vendosen në kujdestari kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore për shkak se të dy kanë vdekur ose nuk njihen, janë shpallur si të pagjetur, u është hequr zotësia për të vepruar si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata. Në po këtë nen, (263 te KF), në paragrafin e dytë parashikohet se është vetëm gjykata e cila bën vendosjen e të miturit në kujdestari.

E drejta për paraqitjen e kërkesës për vendosjen në kujdestari 

Në nenin 264 te KF parashikohen se cilët janë personat që legjitimohen për të vënë në lëvizje procesin e kujdestarisë.

  • Të afërmit e fëmijës së mitur;
  • Cilido që merr njoftim për mbetjen e fëmijës pa prindër ose për lindjen e një fëmije me prindër të panjohur;
  • Vet i mituri që ka mbushur moshën 14 vjeç;
  • Prokurori;
  • Noteri, i cili në çeljen e një testamenti vihet në dijeni për caktimin e një kujdestari.

Caktimi i kujdestari

Në nenin 265 dhe 267 te KF, parashikohet radha për përcaktimin e marrjes së kujdestarisë. Prioritet, sipas nenit 265 te KF, i jepet kujdestarit  të përcaktuar si i tillë nga prindi. Kjo për vet faktin e respektimit të vullnetit të prindit si person, i cili si gjatë qenies gjallë nëpërmjet deklaratës noteriale dhe pas vdekjes nëpërmjet testamentit ka të drejtë të marrë masa të vendosë për jetën e fëmijës së tij.

Në rastet kur prindi nuk ka shprehur vullnetin e tij në lidhje me përcaktimin e një kujdestarit për fëmijët e tij të mitur, gjykata është e detyruar t’i jap prioritet zgjedhjes së kujdestarit midis paraardhësve pra gjyshërve, personave të afërt, pra që kanë lidhje gjaku, një familjeje kujdestare dhe si alternative të fundit te shohë vendosjen në kujdestari të fëmijës pranë një institucioni publik ose privat, sipas nenit 267 te KF.

Gjithashtu në Kodin e Familjes në nenin 266 parashikon caktimin e një familje kujdestare nga ana e gjykatës e cila duhet t’i garantojë te miturit mirërritjen, përkujdesin fizik dhe mbështetjen emocionale. Përfshirja e familje kujdestare nga gjykata behet atëherë kur asnjë nga paraardhësit apo të afërmit e fëmijës ose nuk janë gjetur të përshtatshëm në kuptimin e kritereve të vendosur nga kodi, ose nuk kanë pranuar kujdestarinë, ose nuk ekziston asnjë i tillë për fëmijën.

Në paragrafin 2, të nenit 266 te KF,  parashikohet se është pikërisht sektori i ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës ku banon i mituri, i cili ngarkohet sipas kodit të familjes të bëjë evidentimin e familjeve kujdestare. Pasi është marre i gjithë informacioni i mësipërm nga punonjësit social dhe është dokumentuar si i tillë në dosjen përkatëse, sektori i ndihmës dhe i shërbimeve sociale përpilon një listë me familjet kujdestare, të cilën ia vë në dispozicion gjykatës së rrethit gjyqësor, pjesë e së cilës është bashkia ose komuna.

Ne rastet kur fëmija nuk është vendosur ne kujdestari pranë te afërmeve te tij ose një familje kujdestare, Kodi i Familjes ka parashikuar (nenin 267/1), vendosjen e fëmijës në një institucion të përkujdesjes si alternativën e fundit të kujdestarisë për fëmijën.