Mbrojtja e Shëndetit

Të drejtat e Njeriut

Mbrojtja e shëndetit dhe promovimi i jetesës së shëndetshme të popullatës në Republikën e Shqipërisë, përmes veprimeve të organizuara, ndikimi i të cilave shpërndahet, në mënyrë të barabartë, në të gjitha grupet e popullates është një synim i shtetit shqiptar.

Nëpërmjet ligjit nr. Nr.10 138, datë 11.5.2009, “PËR SHËNDETIN PUBLIK” u përcaktuan veprimtaritë dhe shërbimet e shëndetit publik, zbatimin e tyre, rolin e shtetit në sigurimin e financimin e shërbimeve të shëndetit publik dhe ndarjen e përgjegjësive ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Parimet bazë të shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë janë:

a) përgjegjësia kolektive për shëndetin;

b) roli udhëheqës i shtetit në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës;

c) shtrirja e veprimeve në tërë popullatën;

ç) shpërndarja e efekteve të veprimeve në mënyrë të barabartë, në të gjitha grupet e popullatës;

d) përqendrimi në përcaktuesit socialë të shëndetit;

dh) përqendrimi në faktorët risk për shëndetin e popullatës, në bazë të fakteve;

e) përqasja shumëdisiplinore;

ë) partneriteti me tërë popullatën.

Veprimtari bazë të shëndetit publik janë:

a) monitorimi i gjendjes shëndetësore të popullatës, për të identifikuar problemet;

b) diagnostikimi dhe hulumtimi i problemeve shëndetësore dhe të faktorëve risk në popullatë.

c) vlerësimi i efektivitetit të përdorimit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore ndaj individit e komunitetit;

ç) zhvillimi i politikave dhe i planeve, që mbështetin përpjekjet shëndetësore të individit dhe të komunitetit;

d) përforcimi i ligjeve dhe i rregulloreve për mbrojtjen e shëndetit, për sigurimin e kësaj mbrojtjeje dhe sigurimin e kapaciteteve zbatuese;

dh) hulumtimi për njohuri dhe zgjidhje të reja të problemeve shëndetësore;

e) promovimi dhe mbështetja e aksesit të barabartë në shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor;

ë) sigurimi dhe zhvillimi, nëpërmjet trajnimit të vazhdueshëm të burimeve njerëzore në shëndetin publik;

f) informimi, edukimi dhe ndërgjegjësimi i popullatës rreth çështjeve shëndetësore;

g) mobilizimi i popullatës për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve shëndetësore, si dhe promovimin e shëndet it;

gj) përgatitja, planifikimi dhe marrja e masave zbutëse për përballimin e emergjencave shëndetësore.

Shërbimet bazë të shëndetit publik janë:

a) promovimi i shëndetit;

b) edukimi shëndetësor;

c) parandalimi i sëmundjeve, përfshirë imunizimin, depistimin;

ç) siguria ushqimore;

d) shëndeti në punë;

dh) shëndeti mjedisor, përfshirë monitorimin e mbetjeve urbane;

e) shëndeti riprodhues, përfshirë shëndetin e nënës, të fëmijës dhe shëndetin seksual;

ë) parandalimi dhe kontrolli i përdorimit abuziv të substancave (produktet e duhanit, alkool, lëndë narkotike dhe psikotrope etj.);

f) shëndeti mendor;

g) sistemi i informacionit në shëndetin publik;

gj) mbikëqyrja epidemiologjike në shëndetin publik;

h) laboratorët e shëndetit publik;

i) monitorimi i shërbimeve të shëndetit publik në kujdesin shëndetësor parësor;

j) kërkimi shkencor në shëndetin publik;

k) trajnimet në shëndetin publik.

Sistemi i shëndetit publik përbëhet nga një rrjet shërbimesh dhe institucionesh të ndryshme, si: institucionet e specializuara të shëndetit publik, institucionet e kujdesit shëndetësor, institucionet e kujdesit social, institucionet e informimit publik, institucionet akademike dhe arsimore, organizatat përfaqësuese të punëdhënësve dhe punëmarrësve, pushteti vendor, shoqëria civile, organizatat jofitimprurëse, shërbimet e menaxhimit të emergjencave civile, shërbimet e sigurisë publike, organizata kulturore dhe sportive e të tjera.

Shteti garanton financimin e shërbimeve të shëndetit publik, të ofruara në kujdesin shëndetësor parësor.

Promovimi i shëndetit synon përmirësimin e shëndetit të popullatës dhe të individëve, përmes proceseve sociale e politike, në nivel kombëtar dhe vendor, për krijimin e kushteve sociale, mjedisore dhe ekonomike, që rezultojnë në shëndet, si dhe të veprimeve, që forcojnë aftësitë dhe mundësitë e komuniteteve e të individëve.

Shëndeti në punë përfshin krijimin e kushteve të punës dhe të punësimit nëpërmjet hartimit e zbatimit të masave aktive, për uljen dhe parandalimin e sëmundjeve profesionale, të aksidenteve në punë, me qëllim që jetëgjatësia mesatare e punëmarrësve të jetë e barabartë me atë të komunitetit përkatës.

Të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit janë të detyruar të zbatojnë rregullat e shëndetit në punë.