Ndreqje e dokumentave të pasakta

Regjistrime Civile

Çdo person, që ka interes për të korrigjuar të dhënat e pasqyruar anë fletën e tij të gjendjes civile , për shkak të një gabimi të provuar material, të bërë gjatë transkriptimit të akteve të gjendjes civile, mund të paraqesë kërkesë pranë zyrës së gjendjes civile ku ka vendbanimin.

Kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:

a)  kopje të aktit të lindjes;

b)  çdo dokument tjetër që provon gabimin.

Në rastin e gabimeve materiale të provuara në një akt të gjendjes civile, personi i interesuar apo pjesëtarët e familjarët që preken nga ai akt, mund të kërkojnë ndreqjen e gabimit të ndodhur, kur provojnë gabimin material gjatë kryerjes së veprimeve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Nëpunësi i gjendjes civile, pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve shoqëruese, ia përcjell atë për vendim Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, së bashku me një mendim mbi themelin e saj. Vendimi i drejtorit i komunikohet prefektit të qarkut përkatës dhe ky i fundit ka të drejtë t’ia njoftojë atë Komisionit Kombëtar.

Rregullat për shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës për korrigjim miratohen me urdhër të ministrit.Korrigjimet dhe plotësimet në dokumentet e arkivuara bëhen vetëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Kopja e vendimit gjyqësor i bashkëlidhet dokumentit dhe çdo dokument i lëshuar në bazë të tij përmban elementet e përcaktuara në vendimin gjyqësor Korrigjimet, si gabime materiale, përcaktohen me rregullore nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

Kur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile vërehen gabime material ose gjendet rubrikë, që nuk pasqyron përbërësin përkatës, përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile bën korrigjimin ose plotësimin, kur:

  • përbërësi figuron në librat e akteve, në regjistrat themeltarë të mëparshëm të asaj zyre ose të vendit prej nga ka ardhur, me ndryshim të vendbanimit, për çdo shkak;
  • i interesuari paraqet dokumentin bazë nga burimi përgjegjës, sipas ligjit;
  • vërtetohet, në të gjitha rastet e tjera, me vendim gjykate. 

Në rast se Zyra e Gjendjes Civile refuzon të ndryshojë të dhënat e gjendjes civile të një personi, pas kërkesës sëkëtij të fundit, ai ka të drejtë të kërkojë në gjykatë ndryshimin e të dhënave personale të regjistruara në Zyrën e Gjendjes Civile.

Shtetasi, përfaqësuesi ligjor ose kujdestari, si dhe çdo person tjetër, që pretendon se i është cenuar një e drejtë ose është privuar nga pasoja juridike të caktuara, pretendimet për pavlefshmëri, pasaktësi e falsitet mund t`i parashtrojë vetëm gjyqësisht, duke thirrur si të paditur zyrën e gjendjes civile”.

Procedura për goditjen e këtyre akteve apo e refuzimit të Zyrës së Gjendjes Civile për të kryer ndryshimet është e njëjtë më atë të ankimit kundër aktit administrativ dhe ndiqet në bazë të Ligjit 49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe  Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”.