Përkujdesja alternative dhe vendosja e fëmijës në familje kujdestare

Familjare

Familja kujdestare është një familje alternative, e vendosur nga gjykata, për t'i ofruar fëmijës një mjedis familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike dhe mbështetje emocionale. Evidentimi i familjeve kujdestare është përgjegjësi e sektorit të ndihmës dhe shërbimit social pranë bashkisë ose komunës ku banon i mituri, e cila realizohet me firmosjen e një deklarate gatishmërie nga familja për te marrë fëmijë në kujdestari. Numri i fëmijëve që i jepen në kujdestari një familjeje kujdestare duhet të jetë i kufizuar, duke u dhënë prioritet në këtë vendosje fëmijëve që janë vëllezër dhe motra me njeri-tjetrin.

Prindi ose kujdestari ligjor i fëmijës ka detyrimin t’i sigurojë atij mirëqenien emocionale, fizike, sociale e materiale, duke u kujdesur dhe duke marrë masat e nevojshme për ushtrimin e të gjitha të drejtave të mbrojtura me ligj.

Në rastet kur prindi apo kujdestari, nuk përmbushin këto detyrime, atëherë njësia e mbrojtjes së fëmijës duhet të marrë masa për të ndihmuar prindin apo kujdestarin në realizimin e detyrimeve ndaj fëmijës. Disa prej këtyre masave mund të jenë masat për riaftësim prindëror apo programet e mbështetjes dhe ndihmës për prindërit, kujdestarin dhe anëtarët e familjes së gjerë.

Në rast se edhe pas ndihmës së dhënë rezulton se qëndrimi i mëtejshëm i fëmijës me prindin nuk është në interesin më të lartë të tij, njësia e mbrojtjes së fëmijës merr masa për largimin e përkohshëm të fëmijës nga prindi dhe e vendos fëmijën në kujdes të përkohshëm alternativ ose në familje kujdestare.

Vendosja në përkujdes alternativ aplikohet ndaj një fëmije në nevojë për mbrojtje dhe me një vendim të strukturave të mbrojtjes së fëmijës.

Përkujdesja alternative mund të jetë:

Vendosja e fëmijës në familjen e ndonjërit nga të afërmit e tij, nëse kjo është e mundur dhe nuk bie ndesh me interesin më të lartë të fëmijës;
Vendosja e fëmijës në një familje kujdestare, në rast se prindërit biologjikë ose ndonjë i afërm tjetër nuk mund të kujdesen për fëmijën;
Vendosja e fëmijës në një institucion të përkujdesit për fëmijët, për një periudhë sa më të shkurtër kohe.

Kush mund të jetë familje kujdestare?

Kriteret, dokumentacioni dhe proçedura për evindentimin e familjeve kujdestare si dhe masa e financimit për këto familje përcaktohetn në VKM nr. 149 datë 13.03.2018 në zbatim të ligjit nr. 121/2016 “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.

Një familje duhet të plotësojë këto kritere për të qenë familje kujdestare:

  • Të ketë shfaqur interesin për të ofruar shërbimin e përkujdesjes alternative;
  • Anëtarët e familjes të jenë të motivuar për të qenë familje kujdestare;
  • Anëtarët e familjes të mos kenë qenë të dënuar për vepra penale me vendim të formës së prerë nga gjykata;
  • Prindërit kujdestarë të kenë aftësi për të kryer detyrën e kujdestarit;
  • Prindërit kujdestarë dhe të gjithë anëtarët e familjes të vërtetojnë me raport mjekësor nga komisioni mjekoligjor që janë të aftë për të ofruar këtë shërbim dhe se nuk mbartin sëmundje të transmetueshme;
  • Të strehojnë dhe të garantojnë mjedis familjar të sigurt për fëmijën;
  • Anëtarët e familjes të mos kenë qëndrime diskriminuese ndaj fëmijëve, fëmijëve me aftësi të kufizuara apo fëmijëve që i përkasin një minoriteti të caktuar;
  • Të respektojnë ushtrimin e besimit fetar të fëmijës/fëmijëve apo të gjitha gjendjet e fëmijës sipas njërit apo disa prej shkaqeve të parashikuara në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi;
  • Prindërit kujdestarë të kenë kuptim të qartë dhe të jenë të gatshëm të zbatojnë parimin e veprimit, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës;
  • Prindërit kujdestarë të jenë të gatshëm për të bashkëpunuar me familjen biologjike të fëmijës dhe me strukturën përgjegjëse për shërbimin e kujdesit alternativ;
  • Prindërit kujdestarë nuk kanë humbur, nuk u është hequr përgjegjësia prindërore ose nuk u është hequr  detyra e kujdestarit në një rast tjetër;
  • Prindërit kujdestarë të jenë nën moshën 65 vjeç;
  • Prindërit kujdestarë të ushtrojnë përgjegjësinë prindërore në jo më shumë se tre fëmijë.

Bashkia është përgjegjëse për evidentimin e familjeve të gatshme për të qenë familje kujdestare në territorin e bashkisë përkatëse.

Në çdo Bashki funksionon komisioni multidisiplinor i kujdestarisë. Ky komision ka në përbërje:

a) drejtuesin e njësisë përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror në Bashki;

b) drejtuesin e njësisë së mbrojtjes së fëmijës;

c) punonjësin social të njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit të rastit ku ka gjendjen civile familja e fëmijës që do të vendoset në kujdestari dhe/ose familja kujdestare;

d) jurist;

e) psikolog;

f) specialist për çështjet e arsimit në Bashki;

g) specialist për çështjet e shëndetësisë në Bashki.

Komisioni multidisiplinar i kujdestarisë është përgjegjës, për:

a) vlerësimin nëse familja që ka shprehur interesin për të qenë familje kujdestare, plotëson kushtet për të ofruar shërbimin e kujdestarisë në familje, mbështetur në dokumentacionin e paraqitur;

b) merr vendim për miratimin e familjes kujdestare dhe përfshirjen e saj në regjistrin e familjeve kujdestare të Bashkisë;

c) përzgjedh familjen kujdestare ku do të vendoset fëmija, që ka të nevojshëm shërbimin e kujdesit në familje kujdestare, duke gjykuar mbi përshtatshmërinë sa më mirë të nevojave të fëmijës me familjen, e cila propozohet si familje kujdestare.

Komisioni multidisiplinar për vlerësimin e rasteve të kujdestarisë, mblidhet me kërkesën e strukturës përgjegjëse për shërbimin e kujdesit alternativ për fëmijë në familje kujdestare dhe brenda këtyre afateve:

a) për miratimin e familjes kujdestare, brenda 30 ditëve nga paraqitja e dosjes nga struktura përgjegjëse.

b) për përzgjedhjen e familjes kujdestare ku do të vendoset fëmija, që ka të nevojshëm shërbimin e kujdestarisë, brenda një afati 7-ditor nga paraqitja e dosjes nga struktura përgjegjëse.