Zgjidhje Martese
Zgjidhja e martesës përfaqëson mbarimin e martesës duke qenë bashkëshortët të gjallë. Në Kodin e Familjes së Republikës së Shqipërisë, janë parashikuar raste të ndryshme të zgjidhjes së martesës.
- Me pëlqimin reciprok të dy bashkëshortëve (Nenet 125-128 të KF).
- Për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët (Nenet 129-131 të KF).
- Me kërkesën e njërit bashkëshort (Nenet 132-133 të KF).
1. Pëlqimi reciprok i bashkëshortëve (Nenet 125-128 të KF).
Zgjidhja e martesës me pëlqimin reciprok të bashkëshortëve, bazohet në një marrëveshje reciproke, të përbashkët, të tyre, e cila ka për qëllim dhënien fund të martesës që ekziston midis dy bashkëshortëve.Zgjidhja e martesës me pëlqimin reciprok të bashkëshortëve, rregullohet nga nenet 125-128 të Kodit të Familjes së Republikës së Shqipërisë. Nga parashikimet e ketyre dispozitave percaktohet se si procedohet nepermjet zgjidhjes së martesës me pëlqimin e bashkëshortëve. Së pari, e gjithë procedura gjyqësore fillon me paraqitjen e një kërkese të përbashkët të të dy bashkëshortëve, të cilët përcaktojnë se duan që të zgjidhin martesën e tyre. Kjo kërkesë mund të paraqitet në gjykatë ose nga bashkëshortët personalisht ose nga përfaqësuesit e tyre respektivë. Së dyti me kërkesën për zgjidhjen e martesës, bashkëshortët duhet t’i paraqesin gjykatës edhe një projektmarrëveshje në të cilën të jetë parashikuar mënyra e rregullimit të pasojave që vijnë si rrjedhojë e zgjidhjes së martesës, të cilat janë :
- Lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të mitur dhe përcaktimin e të ardhurave për rritjen dhe edukimin e tyre.
- Kontributin e secilit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar.
- Rregullimin e marrëdhënieve pasurore midis bashkëshortëve.
Së treti, gjykata ka për detyrë të shqyrtojë kërkesën e dy bashkëshortëve. Nëse gjykata bindet për sa më sipër, vendos zgjidhjen e martesës dhe në të njëjtin vendim, miraton dhe marrëveshjen që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës. Vendimi i gjykatës, si çdo vendim gjyqësor, mund t’i nënshtrohet mjeteve të ankimit të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.
2. Për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët (Nenet 129-131 të KF).
Kodi i Familjes parashikohet se bashkëshortët kanë detyrimin e jetesës së përbashkët. Mungesa e jetesës së përbashkët të bashkëshortëve, mund të përbëjë shkak për zgjidhjen e martesës, nëse zgjat tej një afati të caktuar në ligj (tre vjet). Zgjidhja e martesës sipas nenit 129 të Kodit të Familjes, është e lidhur ngushtë me dy elemente faktike. Së pari duhet që bashkëshortët të jetojnë faktikisht dhe fizikisht të ndarë dhe së dyti duhet që kjo gjendje të vazhdojë që prej tre vjetësh. Bashkëshorti që kërkon zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët, duhet të paraqesë në gjykatë një kërkesëpadi. Gjykata që shqyrton kërkesëpadinë për zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët për mbi tre vjet, duhet që të caktojë në fillim një seancë pajtimi ku të respektohen parashikimet e neneve 134-136 të Kodit të Familjes.
3. Me kërkesën e njërit bashkëshort (Nenet 132-133 të KF).
Zgjidhja e martesës me kërkesën e njërit bashkëshort është një nga rastet që haset më shpesh në praktikë. Kjo formë e zgjidhjes së martesës mund të zbatohet kur paraqiten shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kodin e Familjes.( neni 132 i KF). Shkaqet të cilat justifikojnë ngritjen e padisë për zgjidhjen e martesës me kërkesën e njërit bashkëshort janë:
- Grindjet e vazhdueshme.
- Keqtrajtimet.
- Fyerjet e rënda.
- Shkelja e besnikërisë bashkëshortore.
- Sëmundja mendore e pashërueshme.
- Dënimi penal i rëndë i bashkëshortit.
- Çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve martesore.
Të gjitha shkaqet e sipërpërmendura kanë të përbashkët faktin se përbëjnë shkelje të përsëritura të detyrimeve që rrjedhin nga martesa dhe për pasojë jetesa e përbashkët e bashkëshortëve, bëhet e pamundur dhe martesa humbet qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët. Në shqyrtimin e padisë për zgjidhjen e martesës, gjykata cakton fillimisht një seancë pajtimi, në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët. Nëpërmjet zhvillimit të kësaj seance gjykata shikon mundësinë e pajtimit midis palëve, duke jua ofruar atyre këtë mundësi. Me zgjidhjen e martesës mbaron pushon edhe bashkëjetesa e bashkëshortëve si një nga elementët bazë që karakterizojnë martesën. Për rrjedhojë, ky ndryshim pasqyron edhe ndryshime të tjera lidhur me banimin e veçantë dhe marrëdhëniet personale të secilit prind me fëmijën.