FAQ
Ky portal ofron informacion të përgjithshëm mbi legjislacionin, aktet nënligjore, rregulloret dhe praktikat ligjore që lidhen me fushat e ndryshme të të drejtës, të cilat janë objekt i aktiviteteve të Shërbimit Ligjor Falas Tiranë.
Gjithashtu, ofron dhe mundësi për të përfituar këshillim ligjor online dhe guida për procedurat ligjore.
1. Çfarë është shërbimi ligjor falas?
Shërbimi i këshillimit ligjor ofron ndihmë dhe udhëzime për individë në nevojë lidhur me çështje të ndryshme ligjore. Ekspertët tanë ligjorë mund të ofrojnë këshillim, rekomandime, hartim aktesh dhe dokumentacioni ligjor si dhe ndjekje të çështjeve në gjykatë për të zgjidhur probleme ligjore.
2. Kur duhet të kërkoj shërbim ligjor falas?
Duhet të kërkoni shërbim ligjor sa herë që hasni në një problem ligjor, qofshin këto çështje personale që mund të ndikojnë në të drejtat tuaja dhe nuk keni aftësitë dhe mundësitë financiare për të përballuar shpenzimet ligjore dhe konsideroheni si individ në nevojë, brenda kuadrit të aktivitetit të veprimtarisë së TLAS.
3. A mund të ofroni këshillim ligjor për çdo lloj çështjeje?
Ne ofrojmë këshillim ligjor për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë, por jo të kufizuar në:
Çështje civile;
Cështje familjare;
Çështje të të drejtave të punës
Regjistrime lindjesh;
Ceshtje per te drejtat e pensionit, aftësisë së kufizuar, etj.
4. Si mund të kontaktoj një avokat për këshillim ligjor?
Mund të na kontaktoni përmes formularit të kontaktit në këtë faqe interneti, përmes telefonit ose duke dërguar një email. Pas kërkesës suaj, një nga avokatët tanë do t’ju kontaktojë për të diskutuar nevojat dhe pyetjet tuaja ligjore. Për mënyrën e kontaktimit nëpërmjet portalit, konsultoni Manualin e Përdorimit (https://www.portal.tlas.org.al/sq/manual-p%C3%ABrdorimi).
5. Sa kushton shërbimi i këshillimit ligjor?
Shërbimi i këshillimit ligjor dhe përfaqësimi në gjykatë për individët në nevojë është falas, pa pagesë. Avokatët tanë kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme për zgjidhjen e çështjes suaj, pa pagesë.
6. A mund të përfaqësoheni në gjykatë?
Po, avokatët tanë mund të përfaqësojnë klientët në. Ne do t’ju udhëzojmë dhe do të kujdesemi për përfaqësimin tuaj ligjor gjatë gjithë procesit.
7. Cilat janë përfitimet e këshillimit ligjor në kohë?
Këshillimi ligjor në kohë mund të ndihmojë në:
Evitimin e pasojave ligjore të padëshiruara
Zgjidhjen e shpejtë dhe efektive të çështjeve ligjore
Mbrojtjen e të drejtave tuaja
Uljen e kostove ligjore afatgjata
8. Cila është politika juaj e privatësisë?
Ne respektojmë plotësisht privatësinë e klientëve tanë. Të gjitha informacionet që ndajnë me ne do të trajtohen me konfidencialitet të plotë, sipas ligjit dhe standardeve etike të profesionit të avokatëve.