Pensioni i Pleqërisë sipas sigurimeve Shoqërore
1. PENSIONI I PLEQËRISË
Baza ligjore:
Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Kushtet e përfitimit:
a) Personat që kanë moshën dhe periudhat e sigurimit, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pleqërisë sipas tabelës së mëposhtme:
b) Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi.
Masa e pensionit të pleqërisë:
- Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social;
- Shtesa do të jetë 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributeve;
- Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
2. PENSIONI I PLOTË I PLEQËRISË SI NËNË ME SHUMË FËMIJË
Baza ligjore:
Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Kushtet e përfitimit:
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur:
- Plotësojnë moshën 55 vjeç;
- Kanë 30 vjet periudhë sigurimi;
- Janë tërhequr nga veprimtaria ekonomike;
- Kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç.
Masa e pensionit të pleqërisë si nënë me shumë fëmijë:
- Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë;
- Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, 30 vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social;
- Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë kontributive;
- Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
Dokumentacioni bazë për përfitimin e pensionit të pleqërisë dhe pensionit të plotë të pleqërisë si nënë me shumë fëmijë:
- Fotokopje e kartës së identitetit;
- Certifikatë e gjendjes familjare;
- Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
- Vërtetim nga Komuna/Bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit;
- Vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin.
- Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në çertifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe çertifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijet që nuk figurojnë në çertifikatën e gjendjes familjare;
- Dy copë fotografi.
a) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
- Libreza e punës;
- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
- Vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore;
- Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);
- Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
- Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
b) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe:
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
- Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë.
c) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributeve.