Ndihma Ekonomike

Ndihmë ekonomike, përkrahje sociale dhe sigurime shoqërore

Ndihma ekonomike është një pagesë e kufizuar në kohë dhe e kushtëzuar, që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, për kategoritë e përcaktuara në ligjin nr. 9355 /2005 “ Për ndihmën dhe shërbimet shoqëror” i ndryshuara. Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike vlerësohen sipas nevojave dhe mbajnë parasysh gjendjen e varfërisë.

Ndihma ekonomike, është e plotë ose e pjesshme. Ndihma ekonomike e plotë iu jepet familjeve në nevojë të cilat nuk përfitojnë asnjë lloj të ardhure nga veprimtaria ekonomike, programet e ndihmës shoqërore, kapitalet apo nga anëtarët e familjes që janë në emigracion. Ndihma ekonomike e pjesshme iu jepet familjeve të cilat përfitojnë të ardhura të pamjaftueshme nga toka, bagëtia, pensionet etj.

KUSH PËRFITOJNË?

Ndihmë ekonomike përfitojnë  si më poshtë:

  1. Familjet në nevojë.
  2. Jetimët, të cilët nuk janë në institucione.
  3. Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.
  4. Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre.
  5. Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore. Si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, përfitojnë sipas përcaktimeve të nenit 23, pika 3, të këtij ligji."

Ndihma ekonomike shpërndahet një herë në muaj me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes  vendore. Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore publikon, brenda 24 orëve nga marrja e vendimit, listën e plotë të përfituesve të ndihmës ekonomike dhe pagesën për personat me aftësi të kufizuar.

CFARE DOKUMENTE DUHET QË PERFITUESIT E NDIHMES EKONOMIKE  TË DORËZOJNË TEK ADMINISTRATORI SHOQËROR PËR KËRKESËN E PARË PËR NDIHMË EKONOMIKE:

1. Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme: 

  • Kopjen e kartave së identitetit të të gjithë anëtarëve të familjes që kanë karta identiteti;
  • Çertifikatën familjare që lidhet të gjithë ata persona që janë pjesë e së njëjtës gjendjeü familjare; 
  • Çertifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshmeü apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës (tapinë e tokës), për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende;
  • Familjet me fëmijë nën moshën madhore edhe vërtetim mbi frekuentimin e shkollës për fëmijët që ndjekin arsimin e detyrueshëm, dëftesën e kalueshmërisë, kalendarin e kryerjes se vaksinave për fëmijët.

Në rastet kur bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese dhe ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, dokumentacioni paraqitet i ndarë nga secili bashkëshort. 
Në këtë rast duhet që të dorëzohet edhe vërtetimi i gjykatës që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martesore.
Në rastet kur një ose më shumë anëtarë të familjes janë me aftësi të kufizuar ose invalidë duhet që të dorëzohet edhe kopje e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.

2. Jetimët që nuk janë në institucione të përkujdesit shoqëror: 

  • Kopjen e kartës së identitetit;
  • Çertifikatën familjare;
  • Kopjen e noterizuar për statusin e jetimit, sipas kërkesave të parashikuara në ligjin “Përü statusin e jetimit”, të ndryshuar;

3. Prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë:

 Certifikatën familjare;

4. Viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit: 

  • Kopjen e kartës së identitetit; 
  • Certifikatën familjare;
  • Vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit;

5. Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes:

  • Kopjen e kartës së identitetit;
  • Certifikatën familjare;
  • Urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes të lëshuar nga gjykata;

Në çdo rast, administratori shoqëror mund t’ju kërkojë dokumente të tjera të nevojshme, për të përcaktuar të ardhurat familjare.

KUR PËRJASHTOHESH NGA NDIHMA EKONOMIKE?

Nga Ndihma Ekonomike mund të përjashtohesh nëse:

  • Dokumentacioni ose informacioni i dhënë gjatë plotësimit të kërkesës rezulton i rremë pas kontrollit në mënyrë elektronike me institucionet e tjera shtetërore dhe të verifikimit fizik në vendbanim.
  • Personi përfitues i ndihmës ekonomike  nuk pranoni të intervistoheni në vendbanimin e deklaruar pas dy njoftimeve të bëra nga administratori.
  • Një prej anëtarëve të familjes ndahet qëllimisht nga trungu familjar pa krijuar një kurorë të re, përveç rasteve të vajzave nëna;

A MUND TË ANKOHESH NËSE NUK PËRZGJIDHESH  I PËRFITUES I NDIHMËS EKONOMIKE

Në rastet kur kërkesa  është refuzuar personi ka të drejtë t’i kërkojë  bashkisë apo komunës informacion për arsyet e refuzimit., de më pas mund të ushtrojë të drejtën e ankimit me shkrim te Drejtori i Zyrës Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, i cili e njofton me shkrim përvendimin e marrë. Kundër  vendimin për refuzim të Ndihmës Ekonomike mund te ankimohet në gjykatë.

Shërbimet e përkujdesit shoqëror janë ato shërbime që u ofrohen individëve, familjeve, grupeve në nevojë, komuniteteve, të përcaktuara për plotësimin e nevojave të tyre jetësore. Këto shërbime ofrohen nga personeli i specializuar në qendra riintegruese dhe rehabilituese rezidenciale, në qendra ditore ose në familje, për individët, të cilët nuk janë në gjendje të jetojnë normalisht, për shkak të përkeqësimeve të përkohshme apo të përhershme fizike, psikike dhe mendore.

Shërbimet e përkujdesit shoqëror, sipas mënyrës së organizimit dhe të funksionimit, janë:

  • shërbime të përkujdesit rezidencial;
  • shërbime të përkujdesit komunitar.

Shërbimi në institucionet rezidenciale ofrohet për individë, për të cilët përkujdesi në shtëpi nuk është i mundur. Vendosja e tyre në qendrat e përkujdesit shoqëror bëhet me pëlqimin e personit, pas vlerësimit të gjendjes shoqërore, ekonomike dhe mjekësore të tij. Shërbimet e përkujdesit komunitar ofrohen në qendra ditore, në shtëpitë e individëve ose në familjen kujdestare, sipas nevojave specifike të grupeve përfituese.

Procedura e evidentimit të familjes kujdestare organizohet dhe mbikëqyret nga strukturat e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore të organeve të qeverisjes vendore, të cilat ngrenë pranë tyre komisionet multidisiplinare për vlerësimin e rasteve. Organizimi dhe funksionimi i komisioneve multidisiplinare përcaktohen në rregulloren e miratuar nga organet e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 8652, datë 30.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar.

Programet e pagesës së papunësisë janë pjesë e politikave shtetërore të punësimit të cilat sigurojnë mbështetjen me të ardhura të të papunëve në momentin e daljes së tyre si të tillë, duke synuar krijimin e kushteve për rikthimin e tyre në tregun e punës. Programet e Pagesës së Papunësisë synojnë të mbështesin financiarisht të gjithë punëkërkuesit e papunë në rast papunësie për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të` ndërmarrjes, zvogëlimit te aktivitetit etj., duke lehtësuar sadopak përpjekjet e tyre drejt punësimit.

KUSH PËRFITOJNË?

Përfitojnë të ardhura nga papunësia personat, të cilët plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  • Të kenë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12 mujore, (për çdo rast përfitimi).
  • Të jenë regjistruar si punëkërkues të papunë pranë zyrës përkatëse të punësimit.
  • Të kenë paraqitur kërkesën me shkrim dhe të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës, brenda 60 ditëve nga data e lindjes së të drejtës, për t’i përfituar këto të ardhura.
  • Të pranojnë të punësohen ose të kualifikohen kur u ofrohet nga zyra përkatëse e punësimit.

SA ËSHTË NIVELI BAZË I PËRFITIMIT ?

Çdo i papunë që trajtohet me pagesë papunësie merr një nivel bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, i barabartë për të gjithë përfituesit, pavarësisht nga paga që është paguar në punë. Aktualisht niveli bazë i pagesës së papunësisë është 6850 lekë në muaj.
Përveç sa me sipër, personi mund të përfitojë bashkë me pagesën e papunësisë edhe kompensime në vlerë për çdo pjesëtar të familjes suaj që është i papunë si dhe shtesën familjare ( 2.5% - 5% ) për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, 25 vjeç si dhe për të paaftët.

SA KOHË ZGJAT PAGESA E PAPUNËISË?

Çdo punëkërkues i papunë që do të përfitojë pagesë papunësie do të paguhet: Për 12 muaj për herë të parë. Për 10 muaj për herë të dytë. Për 8 muaj për herë të tretë. Në qoftë se punësohet gjatë periudhës së përfitimit, e drejta e pagesës do të zgjasë deri në dy vjet.

CFARË DOKUMENTASH DUHEN PËR TË PËRFITUAR PAGESËN E PAPUNËSISË?

Personat, të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, së bashku me kërkesën, duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

 a) Librezë pune;

 b) Kartë e identitetit (fotokopje);

c) Çertifikatë gjendjes familjare;

d) Vërtetim nga dega e tatim-taksave, se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve;

 e) Vërtetim për ndjekjen e shkollës, për fëmijët deri në 18 vjeç;

f) Vërtetim për vazhdimin e studimeve të larta, për fëmijët deri 25 vjeç;

g) Vërtetim nga KMCAP-i për deklarimin e paaftësisë për punë, për personat në ngarkim;

 i) Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore, që njëri nga bashkëshortët nuk është përfitues pensioni të plotë;

 h) Vërtetim nga kadastra, nëse ka tokë në pronësi;

Një person, që përfiton të ardhura nga papunësia detyrohet të njoftoje, brenda 5 ditëve, zyrën përkatëse të punësimit, kur:

a) Ka ndryshime në gjendjen familjare;

b) Personat, që janë në ngarkim të tij, kanë mbushur moshën18 vjeç, dhe ata që studiojnë apo janë të paaftë për punë kanë mbushur moshën 25 vjeç;

c) Kanë ndryshuar kushtet e tjera të përfitimit të të ardhurave nga papunësia;

Personat nuk përfitojnë apo u ndërpritet e ardhura nga papunësia kur: a) Pa arsye nuk pranojnë të ndjekin programe punësimi, me pagesë të përshtatshme, të ofruara nga zyra përkatëse e punësimit, për aq kohë sa zgjasin këto programe punësimi; b) Refuzojnë, pa argumente të arsyeshme, të marrin pjesë në kurse trajnimi e kualifikimi, me pagesë, të ofruara nga zyra përkatëse e punësimit për aq kohë sa zgjat kursi i trajnimit;

Masa e nivelit bazë të së ardhurës mujore nga papunësia është e njëjtë për çdo përfitues.