Drejtesia per te Miturit
Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur
Në vitin 2017, Shqipëria ka miratuar me ligjin Nr. 37/2017 Kodin e Drejtësisë Penale për te Mitur. Ky Kod ka për qëllim të mbrojë të miturit që bien në kontakt me drejtësinë penale dhe të sigurojë respektimin e interesit më të lartë të të miturit.
Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur përmban rregullime të posaçme lidhur me përgjegjësinë penale të të miturve, rehabilitimin e te miturve në konflikt me ligjin, si dhe rregullime per te miturit viktimë dhe/ose dëshmitar të veprës penale.
Ky Kod përmban rregullime edhe për të rinjtë nga grupmosha 18 deri në 21 vjeç, sipas parashikimeve në nene të veçanta të tij;
Kodi eshte nje mjet ligjor i cili:
Garanton një kuadër ligjor mbi drejtësinë penale për të mitur që është në përputhje me Kushtetutën, Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Fëmijëve;
Promovon riintegrimin e të miturit në konflikt me ligjin penal dhe që i mituri të luajë në shoqëri një rol sa më të dobishëm;
Garanton rishoqërizimin dhe rehabilitimin e të miturit që ka kryer vepër penale;
Mbron të drejtat e të miturit në rastet kur është dëshmitar dhe/ose viktimë e veprës penale;
Parandalon riviktimizimin dhe viktimizimin e dytë të të miturit, i cili më parë ka qenë viktimë e një vepre penale.
Parandalon përsëritjen e veprave penale prej të miturit;
Mbron parimet e rendit publik në procesin e administrimit të drejtësisë penale për të mitur;
Rrit përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin e organeve kompetente në administrimin e çështjeve të drejtësisë penale për të mitur;
Garanton masa edukative dhe parandaluese për të miturit që kryejnë vepra penale.
Ky Kod bazohet në parimin e mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës që do të thotë se për çdo fëmijë në kontakt me ligjin, mbahen parasysh:
nevojat e fëmijës për zhvillim fizik e psikologjik, edukim e shëndet, siguri dhe qëndrueshmëri, si dhe rritjen/përkatësinë në një familje;
mendimi i fëmijës, në varësi të moshës dhe aftësisë së tij për të kuptuar;
historia e fëmijës, duke mbajtur parasysh situatat e veçanta të abuzimit, neglizhimit, shfrytëzimit ose forma të tjera të dhunës ndaj fëmijës, si dhe rrezikun e mundshëm që situata të ngjashme të ndodhin në të ardhmen;
aftësia e prindërve ose personave që kujdesen për mirërritjen e fëmijës për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijës;
vazhdimësia e marrëdhënieve personale ndërmjet fëmijës dhe personave, me të cilët ai ka lidhje gjinore, shoqërore dhe/ose shpirtërore.
Përparësia e masave alternative të shmangies
Kodi i jep përparësi masave alternative të shmangies nga procedimi penal.
Masat alternative që synojnë shmangien e të miturit nga procedimi penal ose zbatimi i masave të drejtësisë restauruese vlerësohen si mundësia e parë.
Sa herë është e përshtatshme, e mundshme dhe e nevojshme, shmanget vënia në lëvizje e procedurës penale për të miturit në konflikt me ligjin, me kusht që të respektohen plotësisht të drejtat e të miturit dhe mbrojtja e tij.
Kufizimi ose heqja e lirisë si masë e fundit
Arrestimi, ndalimi ose burgimi i një të mituri nuk zbatohet nëse qëllimi mund të realizohet përmes një mase më të butë.
Arrestimi, ndalimi ose burgimi i një të mituri zbatohet në përputhje me parashikimet e Kodit, si dhe në përputhje me legjislacionin procedural penal.
Masat e parashikuara në pikën 2, të këtij neni, përdoren vetëm si një masë e fundit, për një kohë sa më të shkurtër, si dhe janë objekt i rishikimit të rregullt periodik nga gjykata.
Punonjësit e institucioneve në kontakt me të miturin
Nëse viktima është i mitur dhe gjykimi në gjykatat e rretheve gjyqësore dhe të apelit bëhet me trup gjykues, të paktën një gjyqtar duhet të jetë i specializuar dhe i trajnuar në drejtësinë penale për të mitur.
Ndjekja penale në çështjet e drejtësisë penale për të mitur bëhet nga prokurorë të trajnuar dhe specializuar në këtë fushë.
Punonjësit e policisë gjyqësore që trajtojnë çështjet e drejtësisë penale me të mitur trajnohen dhe specializohen në drejtësinë penale për të mitur.
Veprimet e parashikuara nga ligji për Policinë e Shtetit lidhur me të miturit, kryen nga një punonjës i specializuar dhe i trajnuar në drejtësinë penale për të mitur.
I mituri në konflikt me ligjin ose viktimë mbrohet nga avokatë të specializuar në drejtësinë për të mitur, me përjashtim të rasteve kur i mituri ose përfaqësuesi i tij ligjor përzgjedh një avokat tjetër.
Në sistemin e drejtësisë për të mitur përfshihet punonjësi i Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, psikologu, përfaqësuesi procedural, ndërmjetësi, punonjësi i shërbimit të provës, punonjësi i qendrës së rehabilitimit për të mitur dhe paraburgimit, i specializuar në drejtësinë për të mitur.
Detyrat e Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës lidhur me të miturin dëshmitar dhe viktimë
Përfaqësuesi i Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve është personi mbështetës në rastet me të miturin dëshmitar dhe viktimë dhe, ndër të tjera, ka për detyrë:
a) të mbështesë të miturin emocionalisht;
b) të japë mbështetje gjatë gjithë procesit penal.
Përfaqësuesi i Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, nëse është caktuar me cilësinë e përfaqësuesit procedural, në rastet e të miturve viktima dhe dëshmitarë nën 14 vjeç, jep edhe pëlqimin për dhënien e dëshmisë nga ana e të miturit
Trajtimi i të miturve nga organet kompetente
Organet kompetente, në çështjet me të mitur viktima dhe/ose dëshmitarë, bëjnë kujdes të veçantë, me qëllim që:
a) i mituri viktimë ose dëshmitar i veprës penale të trajtohet me përkujdesje, në mënyrë miqësore dhe të ndjeshme, të tilla që respektojnë dinjitetin e tij gjatë gjithë procesit, duke marrë në konsideratë gjendjen e tij personale, nevojat e menjëhershme dhe të veçanta, moshën, gjininë, aftësitë e kufizuara, nëse ka, dhe nivelin e pjekurisë;
b) të mbrohet jeta private e të miturit viktimë ose dëshmitar. Ndërhyrja në jetën private të të miturit, nëse është e nevojshme, të jetë në nivelin më të ulët të mundshëm të përcaktuar nga ligji, në mënyrë që të sigurohen provat e nevojshme të procesit penal;
c) bërja publike e informacionit lidhur me identitetin e të miturit dëshmitar ose viktimë bëhet vetëm me leje të gjykatës
Ndihma juridike për të miturin viktimë
I mituri viktimë ka të drejtë të mbrohet pa pagesë gjatë gjithë procesit të drejtësisë nga një avokat, të cilin e zgjedh nga lista përkatëse e hartuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë sipas listes për avokatë të specializuar në drejtësinë për të mitur.
I mituri viktimë ose dëshmitar mund të kërkojë mbështetje ligjore falas (parësore ose dytësore) bazuar në ligjin Nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”
Masat mbrojtëse për të miturin viktimë ose dëshmitar
Në çdo fazë të procesit penal, kur siguria e të miturit viktimë ose dëshmitar është në rrezik, sipas rastit, prokurori, policia gjyqësore ose Njësia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës marrin masa mbrojtëse si: shmangien e kontaktit të drejtpërdrejtë midis të miturit viktimë ose dëshmitar dhe të akuzuarit, në çdo fazë të procesit.
Rregulla të veçanta të pyetjes së të miturit viktimë ose dëshmitar
- Kur dhënia e dëshmisë mund ta vendosë viktimën ose dëshmitarin e mitur në rrezik serioz për jetën apo për shëndetin, gjyqtari, në përshtatje me moshën, gjatë gjykimit garanton pyetjen e dëshmitarit/viktimë të mitur duke përdorur pajisje që ndryshojnë pamjen dhe/ose zërin e dëshmitarit/viktimës, marrjen e tij në pyetje pas një ekrani jotransparent ose marrjen në pyetje në distancë.
- Organet kompetente sigurojnë shmangien, në çdo rast, të përballjes së të miturit viktimë me të akuzuarin në të gjitha mjediset ku zhvillohet procesi.
- Në rastet me të mitur viktima ose dëshmitarë, zhvillimi i seancës gjyqësore bëhet vetëm me dyer të mbyllura.
Rregulla të veçanta të pyetjes së të miturit viktimë dhe/ose dëshmitar i shfrytëzimit seksual ose dhunës seksuale
- Dëshmia e të miturit viktimë e shfrytëzimit seksual dhe/ose abuzimit seksual mund të dëgjohet në sallën e gjyqit pa qenë i pranishëm vetë i mituri, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të nevojshme të komunikimit.
- I mituri dëshmitar ose viktimë e dhunës në familje ndalohet të merret në pyetje në praninë e prindit ose të afërmit abuzues gjatë procedurës së vendosjes së urdhrit të mbrojtjes, urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
- Në rastet me të mitur viktima ose dëshmitarë të shfrytëzimit seksual dhe/ose abuzimit seksual, gjithë procesi i gjykimit zhvillohet me dyer të mbyllura.
Rregulla të veçanta të pyetjes së të miturit viktimë/dëshmitar nën 14 vjeç
Pyetja e të miturit nën moshën 14 vjeç mund të bëhet vetëm me pëlqimin dhe në praninë e përfaqësuesit të tij ligjor/procedural, psikologut dhe mbrojtësit të tij. Përfaqësuesi ligjor/procedural ka të drejtë të shprehë mendimin e tij për pyetjet që do t’i drejtohen të miturit.
Organi procedues konsulton paraprakisht me psikologun përmbajtjen e pyetjeve që do t’i drejtohen të miturit, duke synuar që atij t’i sigurohet pyetja në mënyrën e duhur, lehtësimi i dhënies së dëshmisë, eliminimi i frikësimit ose ndrojtjes nga proces.
Masat alternative të mundshme për shmangien nga ndjekja penale
Masat alternative për shmangien nga ndjekja penale mund të përfshijnë:
a) programet e drejtësisë restauruese dhe ndërmjetësimit;
b) këshillimin për të miturin dhe familjen;
c) paralajmërimin me gojë;
ç) paralajmërimin me shkrim;
d) masat detyruese;
dh) vendosjen nën kujdes.
Kushtet e të miturit në mjediset e paraburgimit
1. I mituri në mjediset e paraburgimit gëzon të gjitha të drejtat që gëzon i mituri i dënuar me burgim.
2. I mituri në paraburgim vendoset në mjedise të veçanta nga të rriturit.
3. Të miturit vendosen në mjedise të ndara nga njëri-tjetri sipas gjinisë.
4. Gjatë kohës që i mituri mbahet në paraburgim, sipas nevojës dhe në përputhje me moshën, gjininë dhe personalitetin, i ofrohet ndihmë sociale, edukative, psikologjike, mjekësore dhe fizike.